Maqedoni

Renovimi i shkollës së Ladorishtit, investim për të ardhmen e fëmijëve

01.09.2025 14:18

Sot, në kuadër të fillimit të vitit shkollor, u zhvillua një aktivitet i veçantë në shkollën e Ladorishtit “Ashim Agushi”..

Sot, në kuadër të fillimit të vitit shkollor, u zhvillua një aktivitet i veçantë në shkollën e Ladorishtit “Ashim Agushi”, ku u theksua rëndësia e renovimit të shkollave dhe përkushtimi ndaj nxënësve. Në këtë takim morën fjalën mësues dhe drejtues, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit.
 
“Kjo shkollë kishte me të vërtetë nevojë për renovim dhe falë zotit Maksut Çollaku, i cili mori përsipër punimet, e gjithë shkolla u rikonstruktua. Tani fëmijët janë të lumtur dhe nuk do të kenë më probleme me mykun në klasa e korridore.”, - theksoi mësuesja, Lutfie Mustafai.
 
Ky investim i ka dhënë shkollës një pamje të re dhe ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e të nxënit.
 
“Sot, si çdo vit, është dita e fillores, një ditë kur takohemi me bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Këtë herë, ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se z. Çollaku mori përsipër të gjithë rikonstruksionin e shkollës.”, - u shpreh drejtori, Shefi Cenka. 
 
Kurse nxënësit shprehnin gëzimin nëpërmjet emocioneve të tyre.
 
“Shkolla është e bukur, shumë mirë. Faleminderit që e rregulluan shkollën.”, - tha një nxënës.
 
Krahas përmirësimeve infrastrukturore, drejtuesit u ndalën edhe te gjendja e përgjithshme e arsimit në fshatrat tona.
 
“Për fat të keq, këtë vit numri i nxënësve nuk është as në rritje e as në rënie – mbetet mesatar. Shkollat e Frëngovës dhe të Zagraçanit kanë gjithsej rreth 400 nxënës, ndërsa Ladorishti vetëm 100. Në klasë të parë, në të tria shkollat së bashku janë vetëm 40 nxënës.”, - theksoi drejtori i shkollës së Ladorishtit, Shefi Cenka.
 
Këto shifra tregojnë sfidat me të cilat përballet arsimi, por edhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga komuniteti.
 
FITORE ISTREFI