Maqedoni

Filloi viti i ri shkollor 2025\2026, shkollat mirëpresin nxënësit

01.09.2025 14:35

Sot filloi viti i ri shkollor 2025/2026 për 245 mijë nxënës...

Sot filloi viti i ri shkollor 2025/2026 për 245 mijë nxënës, përkatësisht 177.800 nxënës të shkollave fillore dhe 67.200 nxënës të shkollave të mesme. Nxënësit e klasës së parë shprehen të emocionuar që do të fillojnë shkollën.
 
“Jam e gëzuar që do të filloj klasën e parë.”, - tha një nxënëse.
 
“Klasën e parë. Po, jam i lumtur.”, - tha një nxënës.
 
Drejtori i shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” tha se janë përgatitur dhe kanë risi për fillimin e vitit të ri shkollor.
 
“Shkolla jonë është e përgatitur në maksimum. I kemi përgatitur të gjitha gjërat, pasi që sivjet kemi risi në shkollën tonë, për herë të parë do të zhvillohet mësimi në një ndërrim, kështu që i plotësojmë të gjitha kushtet. Gjatë verës kemi pasur angazhime  të mëdha, mirëpo ia dolëm dhe prej sot fillojmë të punojmë në një ndërrim. Këtë vit kemi 665 nxënës, kemi 27 paralele.”, - deklaroi drejtori i ShF “Kongresi i Manastirit”, Faik Xhoni.
 
Nga Ministria e Arsimit thonë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit shkollor, si me tekstet shkollore ashtu edhe me trajnimet e mësimdhënësve.
 
“Doja t’ua uroja nxënësve dhe të punësuarve fillimin e vitit shkollor që janë të angazhuar në kuadër të institucioneve arsimore, shkollave fillore dhe të mesme. Dua t’ua uroj edhe klasave të para një fillim të mbarë  dhe të suksesshëm, për shkak se hapërojnë për herë të parë në shkollat në institucionet arsimore. Nga ana e MASh-it janë bërë përgatitjet e nevojshme. Janë shpërndarë tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, janë përgatitur edhe pjesa e trajnimeve për mësimdhënësit.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
 
Këtë vit do të zbatohet një ditar i ri elektronik me performancë më të mirë se ai i mëparshmi, ndërsa do të ketë 1.346 asistentë në shkollat fillore. 130 asistentë do të punësohen për nxënësit e shkollave të mesme me nevoja të veçanta arsimore. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur një thirrje për trajnim mbi zbatimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie, në të cilën mund të aplikojnë mësuesit e shkollave të mesme. Sipas thirrjes, të gjithë mësuesit që kanë një nivel bazë të njohurive të mjeteve digjitale dhe flasin rrjedhshëm anglisht mund të aplikojnë për trajnim.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI