Botë

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Afganistan, 800 të vdekur, mbi 2.000 të plagosur

01.09.2025 15:05

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 mbrëmjen e së dielës goditi Afganistanin....

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.0 mbrëmjen e së dielës goditi Afganistanin. Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm është rritur ndjeshëm. Ministria e Brendshme e Talibanëve konfirmon se më shumë se 800 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 2.800 të tjerë janë plagosur. Provinca Kunar është më e goditura. Spitalet janë të mbushura plot me të plagosur, numri i të vdekurve po rritet dhe përpjekjet e shpëtimit po vështirësohen.
 
"Pothuajse i gjithë fshati është shembur. Fëmijë, të rinj dhe të moshuar janë të bllokuar nën rrënoja. Kemi nevojë për ndihmë. Trupat e pajetë nën rrënojat nuk janë nxjerrë ende.", - tha një banor i fshatit të prekur të Azizabadit.
 
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë në rajonet e largëta malore, por rrugët e ngushta po e bëjnë operacionin të vështirë. Të plagosurit po evakuohen me helikopter në zona më të sigurta.
 
Autoritetet paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të rritet dhe kanë bërë thirrje për ndihmë nga organizatat ndërkombëtare. Organizatat humanitare globale dhe vendet fqinje po mobilizohen për të ofruar ndihmë emergjente në zonat e prekura.
 
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu "solidaritet të plotë me popullin e Afganistanit pas tërmetit shkatërrues dhe u shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjeve të viktimave, duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve".
Afganistani është i prirë ndaj tërmeteve të forta dhe të shpeshta, veçanërisht në rajonin ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike.
 
FITORE DEMOLLI