Rajon

Negociatat Shqipëri – BE, Rama i dërgon një mesazh Brukselit

01.09.2025 15:15

Rama i dërgoi Brukselit një mesazh nga forumi ndërkombëtar i Bledit....

Në një kohë kur negociatat me BE-në kanë ecur me ritme të shpejta, e Shqipëria pret që brenda 2027-ës t’i ketë mbyllur, Edi Rama i dërgoi Brukselit një mesazh nga forumi ndërkombëtar i Bledit.
 
“Ne jemi ndjekës vërtetë besnikë, politika jonë e jashtme është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së. As nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë jemi disi të verbër dhe kur themi që jemi me ty, jemi me ty deri në fund.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Sinjalet pozitive se Shqipëria mund të integrohet në BE brenda vitit 2029, i ka dhënë Marta Kos, komisionarja për Zgjerim, por Rama shpreson që të jenë dakord të gjithë anëtarët e unionit.
 
“Marta Kos do që Shqipëria të jetë në BE, shpresoj që të bien dakord edhe vendet e tjera anëtare.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Kritikat ndaj Brukselit për burokraci e mungesë të eficencës nuk i kurseu as këtë herë, ndërsa rruga e BE-së thotë se është vetëm një.
 
“Do të thellohet në rrugën e saj për t’u shndërruar në Shtetet e Bashkuara të Evropës apo do shpërbëhet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet, sepse nuk ka shans që të ndahesh e të jesh vetëm. Evropa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, që e bën më të ndërlikuar që të trajtojnë problemet që mund të ketë çdo organ. Në të kundërtën do të kemi një rënie të pashmangshme.”.
 
LULJETA NDOKA