Maqedoni
Politikë, opozita me akuza drejtuar pushtetit
01.09.2025 15:28
Opozita me vërejtje ndaj pushtetit rreth statusit të shqiptarëve, por edhe integrimit....

Opozita me vërejtje ndaj pushtetit rreth statusit të shqiptarëve, por edhe integrimit. BDI konsideron se Marrëveshja e Ohrit është e rrezikuar, tanimë duke tentuar heqjen e votimit me Badinter. Integristët thonë se do të ngrenë alarmin për t’i dalë në mbrojte këtij mekanizmi, ndërkohë kundërshtojnë mundësinë për një marrëveshje të re politike që do të zëvendësonte Marrëveshjen e Ohrit.
“Tani po shohim se si duan të heqin edhe votimin me Badinter. Sot, pra i njëjti plan avancon drejt rishikimit të shumicës së Badinterit, shtyllës kushtetuese që mbron nga majorizimi dhe siguron funksionimin multietnik të shtetit. Çdo tentativë për ta shfuqizuar Badinterin pas zgjedhjeve, ashtu siç edhe po deklarojnë, është tentativë për ta kthyer vendin pas në padrejtësi dhe përjashtim.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, është shprehur se Badinteri dhe Marrëveshja e Ohrit janë themelet e shtetit të Maqedonisë, që sipas tij është edhe e ardhmja dhe gjithçka tjetër është vetëm se një film i parë dhe pjesë e së kaluarës.
Ndërkohë socialdemokratët ankohen për ngecjet në eurointegrime. Sipas krysocialdemokratit Venko Filipçe VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me gënjeshtrën për pozicione më të mira negociuese.
“Tani praktikisht bisedimet janë ndërprerë dhe asgjë nuk ndodh. Nuk ka miratim të ligjeve reformuese dhe asgjë nuk po bëhet për ndryshimet kushtetuese që të hapen kapitujt për bisedime me BE-në.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ministri për Punë të Jashtme, Timço Mucunski, ka shkruar se bisedimet nuk janë ndërprerë, pasi asnjëherë edhe nuk kanë nisur.
“Nga ne nuk do të dëgjoni fjalë të mëdha dhe hapa boshe. Detyra jonë nuk është të gjejmë arsye, por rezultate. Andaj po e lëvizim shtetit përpara, aty ku e ka vendin në BE.”, ka shkruar Mucunski në Facebook.
Aktualisht Qeveria nuk ka zbuluar ndonjë plan konkret me afate kohore drejt zhbërjes së ngërçit integrues, përderisa lideri opozitar Filipçe javën tjetër do të shpalosë rezolutën me vija të definuara të kuqe, sa i takon çështjeve identitare maqedonase dhe përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë.
MERAL ISMAILI
