Kuvendi i Kosovës, Haxhiu: Ka legjitimitet për të ushtruar mandatin

01.09.2025 16:20

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu...

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se situata pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit nuk është ideale. 

Sipas saj, Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin e nevojshëm për të ushtruar mandatin e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë lindur për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

"Situata nuk është ideale. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk është ideale. Ideale do të ishte që Kuvendi të arrinte të zgjidhte Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit, dhe po të merrte pjesë opozita, e disa po të votonin për, unë mendoj që Rashiqi do të ishte zgjedhur si anëtar i kryesisë së Kuvendit. Por, kjo nuk ndodhi, nuk i gjetëm 6 deputetë sa nevojiteshin.”. - deklaroi nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Ajo theksoi se pavarësisht këtyre rrethanave, puna e Kuvendit nuk duhet të ndalet, pasi institucioni ka bazën për të funksionuar normalisht.

"Por, në këto rrethana ne duhet të jemi të qartë, ne duhet të vazhdojmë. Kuvendi ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar mandatin e vet. Sepse përveç kryetarit të Kuvendit janë edhe katër kryeanzat që janë zgjedhur. Nëse vetëm një ta kishim prej tyre, do të mund ta mbanim mbledhjen e kryesisë, sepse nevojiten 4 anëtarë që mbledhja të vazhdojë. Ne nuk duhet që të ndalim punën e institucionit më të lartë përfaqësues të Kosovës, pra Kuvendit.”, - theksoi nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Ajo më tej theksoi po ashtu se ky Kuvend nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe. Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është takuar këtë të hënë me presidenten Vjosa Osmani, në një takim të cilësuar si konsultativ dhe njoftues.
 
Takimi, sipas njoftimit të Kuvendit, u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit të të dy krerëve të shtetit për proceset politike dhe parlamentare që e presin vendin në vijim. (Fitore Demolli, TVM2)