Maqedoni

Integrimi i vendit në BE, Filipçe: Përgatitet dokument që do t'i dorëzohet kuvendit

31.08.2025 16:48

Nevojitet qasje serioze dhe burrështetase për zhbllokimin e procesit...

Nevojitet qasje serioze dhe burrështetase për zhbllokimin e procesit euro-integrues të vendit. Kështu i’u kundërpërgjigj lideri i LSDM-së Venko Filipçe, kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili ditë më pare ia refuzoi propozimin Filipçes për Rezolutë të përbashkët në Kuvendin e Maqedonisë për “vijat e kuqe”, si mekanizëm për mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare. 
 
“Ne praktikisht jemi në fazë sikur se i kemi braktisur negociatat  dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodh. Për atë arsyje ne do të përgatisim një dokument që do të jetë një version pune, të cilin do ta ofrojmë gjatë kësaj jave, në të cilin besoj se do të përfshihen të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për vendin. Do t'i përmendim të gjitha deklaratat e mëparshme, do t'i përmendim detyrimet që janë ndërmarrë në kuadër të propozimit francez dhe do të japim një propozim se si ne si LSDM besojmë se duhet të vazhdojmë më tej, me vija të kuqe të qarta dhe precize, në mënyrë që të gjithë në një tavolinë më në fund të dinë për çfarë po flasim dhe si të ecim përpara", u shpreh lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mucunski: Jemi konsistent në rrugën eurointegruese 
 
Shefi i diplomacisë së jashtme Timço Mucunski përmes rrjeteve sociale i’u përgjigjë Filpçes, duke i thënë se është kontradiktor dhe i paqartë në atë që po e thotë dhe propozon, pasi që siç shkruan ai, Filipçe njëherë fletë për ndryshimet kushtetuese, e më pas për anulimin e negociatave dhe veto të re, e cila sipas Mucunskit nuk përputhen me  njëra me tjetrën  dhe sjellin pasiguri.
 
"Rruga jonë është më ndryshe. Po punojmë për zgjidhje që sjellin përparim të qëndrueshëm , jo për bllokime të përsëritura. Është më mirë të tregojmë durim dhe mençuri sesa të bëjmë një veprim që do të jetë një barrë edhe më e madhe për shtetin nesër. Kjo është një qasje prej burrështetasit, të mendojmë për sot, nesër dhe pasnesër. Ekziston një ndryshim tjetër i rëndësishëm. Për ne, e ardhmja evropiane nuk është një frazë e zbrazur , ajo për ne është luftë kundër korrupsionit, administratë moderne, dixhitalizim, investimet në rrugë, infrastrukturë dhe mundësi të reja për qytetarët.", shkroi Mucunski në rrjetin e tij “Facebook”.
 
LSDM do të përgatisë një dokument që do t'i dorëzohet Kuvendit gjatë javës së punës, i cili do të kontribuojë në zhbllokimin e integrimit evropian në kushtet kur vendet fqinje Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë përparim, ndërsa Maqedonia stagnon thonë nga LSDM. 
 
REXHEP QAMILI