Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, KShZ: 69 iniciativa për kryetarë të pavarur
02.09.2025 15:20
Gjithsej 69 iniciativa për kandidatë të pavarur dhe 68 iniciativa për lista të këshilltarëve të pavarur...

Gjithsej 69 iniciativa për kandidatë të pavarur dhe 68 iniciativa për lista të këshilltarëve të pavarur janë paraqitur për zgjedhjet lokale të tetorit. Në mesnatë përfundoi afati për grumbullimin e nënshkrimeve të kandidatëve për këshilltarë të pavarur, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e teta lokale. KShZ-ja në këto momente është duke i procesuar iniciativat e tyre. Pas kësaj, vijon afati për dorëzimin e listave për kandidatë për kryetarë të komunave dhe këshilltarë, i cili skadon më 13 shtator, ku edhe do të dihet edhe zyrtarisht numri i saktë i të gjitha kandidatëve për kryetarë të komunave dhe listat e këshilltarëve.
“Nëpër të gjitha zyrat dhe departamentet rajonale, deri në orën 00:00 në mesnatë, në KShZ janë dorëzuar propozimet për lista të kandidatëve me një grup votuesish prej të paktën dy nënshkrimesh dhe janë dorëzuar gjithsej 69 iniciativa për propozimin e listave për kryetarë të komunave dhe për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 68 iniciativa për lista të këshilltarëve në komuna.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së.
Neziri: Kandidatët e pavarur i japin freski garës lokale
Për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, kandidatëve të pavarur u nevojitej brenda afatit të parashikuar kohor të grumbullojnë të paktën dy nënshkrime nga zgjedhësit. Pavarësisht kësaj, analisti politik Xhelal Neziri për TVM 2 vlerëson se numri i kandidatëve të pavarur në këto zgjedhje janë vlerë e shtuar për pluralizmin politik në vend. Përveç kësaj, shton më tej Neziri, ata do t’i japin freski garës lokale dhe do të ndikojnë pozitivisht në motivimin e qytetarëve për të votuar.
“Kandidatët e pavarur janë një pasuri për vetë garën demokratike, e cila pritet të zhvillohet në zgjedhjet lokale të tetorit. Është një vlerë e shtuar, për shkak se gjërat jo gjithmonë duhet të shihen nëpërmjet prizmit partiak ose problemet jo gjithmonë mund të zgjidhen nëpërmjet një qasjeje ekskluzive partiake. Kandidatët e pavarur, mendoj se do të jenë një risi në skenën politike, për shkak se në të kaluarën rrallë kemi pasur rastin t’i shohim të propozojnë ofertat e tyre, qoftë për zgjedhjet lokale, parlamentare apo presidenciale. Mendoj se do të vendoset një praktikë e re, e cila do ta pasurojë skenën politike dhe do t’i motivojë më shumë qytetarët që të votojnë.”, - deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.
Por, sa janë shanset reale që një kandidat i pavarur ta fitojë një kandidat partiak!? Neziri vlerëson se kjo do të varet nga oferta e tyre komunale, por rol kyç, do ta kenë edhe koalicionet eventuale, që ata do të mund t’i bëjnë gjatë fushatës.
“Sa do të kenë sukses sërish do të varet nga qasja dhe strategjia e tyre në terren dhe nga koalicionet e mundshme që mund t’i bëjnë me grupe të ndryshme jo vetëm partitë politike, por edhe OJQ-ja, por edhe çfarë vizioni do të ofrojnë për zhvillimin e komunës apo shtetin në përgjithësi.”, - theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.
Deri më 11 shtator vijon afati për mbikëqyrjen e Listës Zgjedhore, ku nëpër të gjitha zyrat, departamentet rajonale dhe ueb-faqen e KShZ-së, qytetarët mund të bëjnë kontrollimin e të dhënave të tyre mbi Listën Zgjedhore. Në vijim e sipër në KShZ po ashtu është edhe paraqitja për vëzhgimin dhe raportin e zgjedhjeve. Zgjedhjet lokale të 19 tetorit janë të tetat më radhë që nga mëvetësimi i vendit. Rrethi i parë i votimit do të mbahet më 19 tetor, ndërsa i dyti më 2 nëntor. Në këto dy rrethe zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin 80 kryetarë të komunave dhe po aq këshilltarë komunalë dhe njëherësh do të zgjedhin edhe kryetarin e Qytetit të Shkupit.
REXHEP QAMILI
