Maqedoni

Akuza politike, VLEN: Osmani u takua fshehurazi me Gruevskin

02.09.2025 15:43

VLEN-i akuzon Osmanin se në mënyrë të tërthortë ka pranuar se është takuar me Gruevskim...

VLEN-i akuzon nënkryetarin e BDI-së, Bujar Osmani, se në mënyrë të tërthortë ka pranuar se është takuar me ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, në Budapest, i shpallur “non grata” nga ShBA-ja. Nga ky koalicion kërkojnë të dihet nëse takime të tilla janë raportuar në institucionet kompetente dhe cili është interesi pas tyre.
 
“Prej kur takimet e një ministri të jashtëm me persona që janë në listën e zezë amerikane janë të klasifikuara si sekret shtetëror? A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Brendshme? Cili është interesi pas këtij komunikimi të fshehtë? Shqiptarët presin përgjigje, jo heshtje.”, - deklaroi Merita Kollçi Koxhaxhiku nga VLEN. 
 
Osmani: Takim me Gruevskin s’ka pasur, VLEN-i shpif
 
Ndërkohë ndaj pretendimeve të VLEN-it ka reaguar ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, duke thënë se VLEN-i në mungesë të ideve, vazhdojnë me, siç thotë, publikimin e gënjeshtrave. 
 
“E kam thënë qartë dhe me zë të lartë se një takim i tillë nuk ka ndodhur. Këmbëngulja që ata vazhdimisht përdorin gënjeshtra dhe përsëritin të pavërteta nuk do t’i ndihmojë në fushatë. Ndërsa ata përveç fushatës negative nuk ofrojnë asgjë tjetër, ne po krijojmë një lëvizje për ndryshim që rritet dita-ditës. Përgjigjja ndaj këtyre shpifjeve do të vijë më 19 tetor.”, thuhet në reagimin e ish-miniastrit të Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Ndërkohë VLEN-i dhe BDI-ja u përplasën edhe rreth “botës serbe”. BDI akuzoi VLEN-in se premtuan BE-në, ndërsa sollën izolimin dhe botën serbe, ndërsa VLEN-i u përgjigj me kundërakuza, duke thënë se botën serbe në Maqedoni të Veriut e ka sjellur BDI-ja, nëpërmjet Ballkanit të Hapur. 
 
ERSAN PAJAZITI