Përgjimet e ASK-së gjatë viteve të kaluara, VMRO dhe LSDM me akuza të ndërsjella

02.09.2025 15:56

Edhe sot kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat...

Edhe sot kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat e të dy partive më të mëdha politike VMRO-DPMNE dhe LSDM, për sa i përket përgjimeve nga ana e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare gjatë viteve të kaluara, respektivisht nga viti 2019 deri në vitin 2024, ku tanimë është hapur edhe procedurë. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ka qenë personi kryesor i përgjuar dhe se ky nuk është sulm vetëm ndaj tij dhe gazetarëve, por dhe i demokracisë së përgjithshme në vend.

“Shteti ynë po përballet me një skandal të ri – përgjim të paligjshëm dhe keqpërdorim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit. Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, e sot si kryeministër, bashkë me gazetarë, media, biznesmenë dhe figura publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka përgjuar qytetarët e vet. Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit. Dua të përcjell një mesazh: Nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë përgjegjësi. Do të ketë zgjidhje ligjore. Populli ynë për shumë kohë ka qenë viktimë e keqpërdorimeve, e skemave korruptive dhe e qendrave të fshehta të pushtetit. Koha e të paprekshmëve ka përfunduar.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Por, në këtë drejtim ka reaguar edhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe. Ai tha se në vend të një gjuetie shtrigash, duhet të realizohet një hetim i plotë dhe i deklasifikuar.

"Së pari, pres që të ketë një prezantim objektiv të çështjeve, që faktet të jenë të njohura për publikun. Nëse është e nevojshme, do të ketë një hetim dhe që drejtësia të vihet në vend. Në periudhën e kaluar kemi parë shumë skandale të shpallura, në mënyrë bombastike nga portale të caktuara, nga foltorja e partisë së VMRO-DPMNE-së, të cilat nuk patën asnjë zgjidhje. Më lejoni t'ju kujtoj, pati disa njoftime për ryshfet ndaj kryeministrit, më tej se ai po ndiqej nga dronë, më tej se do të ketë destabilizim dhe tani një lloj monitorimi. Sot pati një deklaratë nga ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, dhe ai vetë tha, mirë, të paktën le të deklasifikohet informacioni, kështu që le të shohim se çfarë lajmesh janë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Ish-drejtori i këtij institucioni, Viktor Dimovski, ka theksuar se Mickoski nuk ka qenë subjekt i interesit të veçantë operativ. Ai i bëri thirrje drejtorit aktual që menjëherë të deklasifikojë dokumentet mbi abuzimet e dyshuara, veçanërisht ato që lidhen me përgjimin e udhëheqësit të atëhershëm të opozitës.

“Deklaroj me përgjegjësi se ai, si udhëheqës i partisë së atëhershme opozitare, nuk ishte subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, nuk ishte subjekt i punës së organizuar operative dhe, për rrjedhojë, nuk ishte një objektiv kundër të cilit u aplikuan masa operative-teknike.”, - u shpreh ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.

Nga ana tjetër, drejtori aktual i këtij institucioni, Bojan Hristovski, ka theksuar se ka indikacione të qarta se ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare së bashku me një grup të punësuarve, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Ish-drejtori dhe një grup i vogël i të punësuarve në këtë institucion, kemi indikacione se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për këtë e kemi informuar edhe Prokurorinë, ndërsa detaje tjera nuk mund të jap, sepse janë detaje të klasifikuara dhe janë senzitive, por edhe të mos e dëmtojmë procesin.”, -  deklaroi drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski.

Kryeministri Mickoski tha se do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin, ndërsa nga LSDM-ja u bën thirrje institucioneve të veprojnë me përgjegjësi dhe të zbulojnë të gjitha informacionet relevante, në mënyrë që sistemi i sigurisë të mos keqpërdoret për qëllime politike dhe të përditshme. (Fitim Kryeziu, TVM2)