Qeveria promovon partneritetin për qeverisje të hapur, Minçev: Maqedonia e përkushtuar për reforma

02.09.2025 16:23

Ekziston vullnet politik për të vazhduar reformat...

Ekziston vullnet politik për të vazhduar reformat drejt integrimit në Bashkimin Evropian, luftën kundër korrupsionit, modernizimin e administratës, transformimin digjital dhe forcimin e stabilitetit demokratik.

Ky është konkluzioni nga takimi tematik i dedikuar Partneritetit për Qeverisje të Hapur, me synimin, siç theksoi kryesuesi, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucionet.

“Ajo që na veçon veçanërisht neve si shtet në nivel global është fakti që jemi një nga të paktët që e zbatojmë procesin në kuadër të pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e tyre. Kjo qasje tripartiake, përmes qeverisjes së hapur, parlamentit të hapur dhe gjyqësorit të hapur, njihet si një shembull inovativ dhe i vlefshëm që duhet ndjekur edhe nga shtetet e tjera.”, - deklaroi ministri për Administratë Publike, Goran Minçev.

Ejakuza: Moment kyç për përparim drejt BE-së

Drejtori ekzekutiv i partneritetit për Qeverisje të Hapur, Ajdan Ejakuza, tha se viti 2025 është moment vendimtar për të treguar përparim drejt BE-së.

“Ky vit, viti 2025 është vendimtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut pasi e përfundoni mandatin e parë të Qeverisë suaj. Ju po hyni në fazën e zbatimit 2024–2028 të programit qeveritar dhe ndodheni në një moment kyç për të treguar përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”, - theksoi drejtori ekzekutiv i partneritetit për qeverisje të hapur, Ajdan Ejakuza.

Maqedonia e Veriut do ta paraqesë vizionin e vet në Samitin Global për Qeverisje të Hapur këtë vjeshtë në Spanjë, ndërsa në vitin 2026 do të jetë mikpritës i takimit rajonal të Ballkanit Perëndimor. Me këtë takim nga Qeveria thanë se janë të përkushtuar për të vazhduar reformat drejt ndërtimit të një Maqedonie të hapur, moderne dhe evropiane. (Armend Murseli, TVM2)