Botë

Ushtria amerikane godet varkën me drogë nga Venezuela, Rubio: Drejtohej nga grupi narko-terrorist

03.09.2025 10:27

Ushtria amerikane goditi të martën një varkë që transportonte drogë dhe vinte nga Venezuela..

Ushtria amerikane goditi të martën një varkë që transportonte drogë dhe vinte nga Venezuela, bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një kohë kur tensionet po rriten mes administratës Trump dhe qeverisë venezuelase.
 
Presidenti amerikan, Donald Trump e konfirmoi sulmin gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale pasditen e së martës, duke thënë se ushtria kishte “qëlluar” ndaj varkës “pak çaste më parë.”
 
Disa minuta më pas, Rubio shkroi në platformën X se ushtria kishte kryer një “sulm vdekjeprurës” në jug të Detit të Karaibeve.
 
Ai tha se “varka e drogës” kishte dalë nga Venezuela dhe “po operohej nga një organizatë e shpallur si narko-terroriste.”
 
Detajet mbi sulmin, përfshirë se kush e operonte anijen, mbeten ende të pakta.
 
Sulmi erdhi pasi SHBA-ja konfirmoi muajin e kaluar se Marina do të forconte praninë e saj në Venezuelë, duke vendosur tre anije luftarake në ujërat përreth këtij vendi të Amerikës Jugore si pjesë e një misioni kundër karteleve të drogës.
 
Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro i quajti këto anije një “kërcënim ekstravagant, të pajustifikueshëm, imoral, absolutisht kriminal dhe të përgjakshëm”.