Maqedoni
Nisma e Popovskës kundër protokollit, Sofja u dërgoi letër diplomatëve të BE-së
03.09.2025 14:08
Bullgaria po ankohet në BE se Maqedonia e Veriut nuk i përmbush detyrimet e saja...

Bullgaria po ankohet në BE se Maqedonia e Veriut nuk i përmbush detyrimet e saja që dalin nga vetë marrëveshja për fqinjësi të mirë mes RMV-së dhe Bullgarisë. Të shqetësuar së fundmi nga iniciativa e ish-deputetes, Liljana Popovska, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Protokollit të Marrëveshjes mes dy vendeve, shefi i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, u dërgoi letër krerëve të diplomacisë evropiane, përfaqësueses së lartë evropiane për Punë të Jashtme, Politikë dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionares evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku i paralajmëron se kjo iniciativë është provokim i panevojshëm dhe paraqet problem shtesë që autoritetet në Shkup vetvetiu po e krijojnë, e që do të mund të ketë pasoja serioze ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë.
"Bullgaria pret që vendi fqinj të përmbushë detyrimet e tij me vullnet vetanak, për të cilat vetë në Këshillin Evropian këmbëngul vazhdimisht. Ne mbetemi në qëndrimin tonë se zgjidhja më e mirë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor është pjesëmarrja e të gjitha vendeve në këtë projekt shumë të suksesshëm, të quajtur Bashkimi Evropian.", - thuhet në letrën e dërguar BE-së, e që njëherit është vendosur edhe në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme bullgare.
Bullgaria në mënyrë kategorike refuzon se Sofja zyrtare do të mund të pranojë ndonjë ndryshim në protokollin e vitit 2022, pavarësisht proceseve politike ose ligjore të nisura në Maqedoni.
Davkova: Do të vendosë Gjykata Kushtetuese
Në ndërkohë presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, nuk dëshiron të komentojë letrën bullgare, pasi që siç thekson kjo është kompetencë dhe e drejta e Gjykatës Kushtetuese.
“Ndihem keq të komentoj deklarata të tilla, ashtu siç është keq të komentosh punën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykatat Kushtetuese janë madje jashtë ndarjes së pushteteve, respektivisht brenda vendit ato sigurisht që nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinjë. Nëse dikush ka filluar një procedurë në Gjykatën Kushtetuese, ajo do të vendosë nëse ka bazë për shqyrtim dhe vendim. Dhe vendimet e Gjykatave Kushtetuese, në Bullgari apo Maqedoni, janë përfundimtare, të zbatueshme dhe nuk i nënshtrohen komenteve.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Këto komente Siljanovska Davkova i bëri pas ndarjes së çmimeve “Unaza Inxhinerike 2025”, 14 për inxhinierët më të mirë të diplomuar në Ohër.
REXHEP QAMILI
