Maqedoni

Propozim-rezoluta e LSDM-së për eurointegrim, Davkova: Zakonisht, rezolutat nuk zbatohen

03.09.2025 14:26

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e gjykon si të pakuptimtë nismën e paralajmëruar nga kreu i LSDM-së...

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova e gjykon si të pakuptimtë nismën e paralajmëruar nga kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, për hartimin e një deklarate për konsensus nacional, sa i përket integrimit të vendit në BE. Sipas asaj, partitë politike dhe institucionet nuk janë të prira të respektojnë rezolutat që i miratojnë në Kuvendin Republikan.
 
“Sinqerisht nuk e kuptoj këtë iniciativë. Pas aq shumë “vija të bardha”, tani të flasim për “vija të kuqe”, është absurde. Ne kemi rezoluta dhe jo vetëm një, por shumë të tilla kemi miratuar në Kuvend dhe nuk u respektuan. Ne as rezultatet e referendumit nuk i kemi respektuar, e aq më tepër “vijat e kuqe”. Nuk kuptoj se çfarë nënkuptojmë me “vija të kuqe” në këtë drejtim e në veçanti argumentimin e tyre se në qoftë se fqinji ynë tenton të vendosë veto, ne do t’i ndërpresim negociatat. Po, ne do t’i ndërpresim negociatat, por kjo i përshtatet fqinjit tonë, mirëpo do të ndryshojmë Kushtetutën për 37-ën herë. Vlerësoj se në këto momente nuk kemi nevojë për një gjë të tillë. Le të ulen në Kuvend dhe të dakordohen, para se të japin deklarata në Bruksel, të arrijnë konsensus se si do të sillemi ndaj kësaj çështjeje. Dhe nëse liderët e partive politike flisnin me një gjuhë të përbashkët, edhe BE-ja do të sillej ndryshe me ne.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Një ditë më parë, kreu i LSDM-së tha se partia e tij brenda javës do të prezantojë propozim-rezolutë, sa i përket integrimit të vendit në BE, si qëllim strategjik dhe interes kombëtar. Ftoi VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski që ta përkrahin rezolutën, nëse nuk kanë qasje tjetër ndaj procesit integrues. Qasje të përgjegjshme pret edhe nga partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend.     
 
ABIBE QAILI