Gjykimi për vdekjen e Frosina Kullakovës, babai i Vasil Jovanovit ndihet i pafajshëm

03.09.2025 14:45

Ka filluar gjykimi për babain e Vasil Jovanovit...

Ka filluar gjykimi për babain e Vasil Jovanovit, i cili në vendkalim për këmbësorë goditi për vdekje Frosina Kollakovën. Zoran Jovanovi po ndiqet për rrezikim të sigurisë në trafik me veprim apo mjet të rrezikshëm për të cilën është paraparë dënim me burg prej 1 viti.

Ai para gjykatës u deklarua i pafajshëm për veprën penale që po i ngarkohet. Përderisa nga prokuroria theksojnë se do ta dëshmojnë se i akuzuari është fajtor për veprën për të cilën ngarkohet, nga mbrojtja me qëndrim se nuk ka ndodhur më parë që dikush të përgjigjet për veprat e fëmijës në moshë madhore mbi 18 vjeç.

“Vasil Jovanovi është person i moshës madhore. A përgjigjemi ne për çdo veprim të fëmijëve tanë të kësaj moshe? Ne tani duam të bëjmë një praktikë selektive, pasi që kjo lëndë është e para dhe e vetmja në Maqedoni. Unë për 33 vite jam avokat dhe nuk kam pasur një lëndë të tillë ku pas një gjykimi për vepër penale dikush tjetër të ndiqet se i ka mundësuar pajisje për kryerjen e veprës. Cilën dëshmi po na e jep neve Prokuroria se është babai ai që i ka dhënë leje të marrë veturën? Asnjëherë nuk ia ka dhënë, andaj propozuam 11 dëshmitarë.”, - deklaroi avokati i të akuzuarit, Sasho Dukovski.

Babai i të ndjerës Frosina Kullakova tha se nuk do të lejojnë që edhe babai të marrë dënim minimal, por që duhet të përgjigjet si bashkëpunëtor dhe përgjegjës për vrasjen e Frosinës.

“Nëse dikush i jep veturë çdo ditë dhe me vite djalit për të cilin e di që nuk ka patentë shoferi, se është i varur nga droga, pijanec dhe që ka paraprakisht të regjistruara mbi 14 aksidente komunikacioni me pasoja serioze, i është e qartë atij dhe çdonjërit se në fakt, babi i jep armë me të cilën i biri mundet të vrasë gjithsecilin. Normalisht se është bashkëpunëtor dhe përgjegjës për vrasjen e Frosinës.”, - theksoi babai i Frosina Kullakovës, Todor Kullakov.

Seanca e radhës është caktuar më 13 tetor me video-incizime nga automjetet që i posedon Zoran Jovanovi. (Florije Kamberi, TVM2)