Paradë e madhe ushtarake në Kinë, prezantohen armët më të sofistikuara
Kina prezantoi armët e saj më të fundit...

Kina prezantoi armët e saj më të fundit në një paradë të madhe ushtarake në Pekin me rastin e 80-vjetorit të fitores kundër Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
Në ceremoni morën pjesë 26 krerë shtetesh e qeverish, mes tyre: presidenti rus, Vladimir Putin; lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, si dhe përfaqësues nga Irani, Bjellorusia, Serbia, Sllovakia, Kuba, Mianmari dhe Indonezia.
Në këtë ceremoni nuk kishte i pranishëm asnjë përfaqësues nga Perëndimi. Presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e tij theksoi se bota ndodhet përballë dy zgjedhjeve të mëdha: vendosjen e paqes apo shpërthimin e një lufte të madhe.
“Njeriu përsëri ndodhet përballë dy zgjedhjeve të mëdha, mes paqes dhe luftës së madhe, dialogut dhe konfrontimit, përfitim i ndërsjellët dhe rezultateve pa zhvillim apo ngecjes. Populli kinez do të vazhdojë rrugën e zhvillimit paqësor dhe do të punojë së bashku me popujt e vendeve të tjera për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për njerëzimin.”, - deklaroi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Ushtria kineze prezantoi armë të sofistikuara: laserë luftarakë, raketa balistike ndërkontinentale bërthamore, dronë nënujore dhe raketa hipersonike kundër anijeve. Një nga risitë që tërhoqi më shumë vëmendje ishin “ujqërit robotikë”, të aftë për zbulim në front, shpërndarje furnizimesh dhe sulme precize ndaj objektivave.
Tramp: Ata komplotojnë kundër ShBA-së
Presidenti amerikan, Donald Tramp, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e akuzuar homologun kinez se po harton komplot bashkë me Putinin dhe Kim Jong Un kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Uroj që presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës të kenë një ditë të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Ju lutem dërgoni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ndërsa ata komplotojnë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.", u shpreh Trampi në rrjetet sociale.
Për Kim Jong Un, kjo ishte paraqitja e tij e parë në një ngjarje të madhe dhe pjesëmarrja e parë e një udhëheqësi të Koresë së Veriut në një paradë ushtarake kineze në 66 vjet. Koreja e Jugut reagoi.
“Presidenti Tramp po tregon njëfarë fuqie përmes politikave të tij tarifore, kështu që mendoj se Rusia dhe Kina gjithashtu duan të tregojnë se kanë njëfarë fuqie. Është e mundur që Kina dhe Rusia ta kenë shtyrë pjesëmarrjen e Koresë së Veriut, për t’u dukur më të fuqishëm në sytë e perëndimorëve. Nuk mendoj se Kim Jong Un kishte ndonjë plan të madh në mendje për këtë takim.”, - tha një banore e Koresë së Jugut.
"Mendimi im personal është se sa më shumë të përpiqemi ta pengojmë Korenë e Veriut, aq më shumë do të rritet dhe do të fitojë fuqi.”, - tha një banore tjetër e Koresë së Jugut:
“Duke parë në përgjithësi situatën botërore, mendoj se Kina dhe Korea e Veriut u bashkuan për të frenuar Shtetet e Bashkuara, jo Korenë e Jugut.", - u shpreh një banor i Koresë së Jugut.
Japonia refuzoi të komentojë paradën, duke theksuar se po ndërton marrëdhënie konstruktive me Kinën. Ndërkohë, Pekini vazhdon të akuzohet nga Perëndimi se ndihmon përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë përmes furnizimeve me materiale me përdorim të dyfishtë dhe blerjes së naftës ruse, akuza që Kina i mohon. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
