Maqedoni
Përgjimet e ASK-së, LSDM kërkon deklasifikim urgjent
03.09.2025 15:32
LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në se po keqpërdor aparatin e sigurisë për interesa partiake...

LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në se po keqpërdor aparatin e sigurisë për interesa partiake dhe për të shpërqendruar qytetarët nga problemet reale. Partia opozitare kërkon deklasifikim urgjent të dokumenteve lidhur me pretendimet për përgjim të paligjshëm, që pushteti u përpoq t’i paraqesë si aferë të supozuar. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, i ka quajtur kontradiktore deklaratat e kryeministrit Mickoski dhe të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski. Sipas saj, nuk mund të jepen deklarata në publik pa u paraqitur qytetarëve prova.
“Mickoski thotë se gjoja ka qenë i përgjuar, ndërsa drejtori i Agjencisë e mohon dhe thotë se bëhet fjalë për “mbledhje informacioni për persona të targetuar”. Kush po gënjen këtu? Prandaj është e domosdoshme që menjëherë të deklasifikohen të gjitha dokumentet dhe opinioni publik të mësojë të vërtetën.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska.
VMRO kërkon seancë urgjente për mbikëqyrjen e ASK-së
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE kërkon një seancë urgjente të Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë për Inteligjencë, si dhe qasje të drejtpërdrejtë në punën e tyre. Prençovi nga VMRO-DPMNE tha se këto ngjarje kanë shkaktuar shqetësim tek opinioni dhe kanë minuar demokracinë dhe besimin te institucionet.
“Qëllimi i seancës është të shqyrtohen dyshimet shqetësuese për veprime të paligjshme në ANB, pra të përcaktohet një datë e saktë për një vizitë zyrtare në Agjencinë për Siguri Kombëtare, përmes së cilës do të bëhet një inspektim i drejtpërdrejtë i gjendjes dhe një hetim i plotë i të gjitha rrethanave të lidhura me këto ngjarje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse dhe si janë keqpërdorur institucionet.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov.
Rexhepi nuk thërret seancën pa certifikatë sigurie
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Skender Rexhepi, theksoi se nuk mund ta thërrasë seancën pasi nuk ka certifikatë sigurie dhe ndjehet i diskriminuar. Tha se në këtë rast komisionin mund të thërrasë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Nuk mund t’i ndaloj sipas rregullores së Kuvendit, por unë nuk do të ulem në atë nivel për të qenë shërbëtor i njerëzve për diçka që është jashtë mundësive të mia. Një gjë të tillë nuk do ta lejoj.”, - u shpreh deputeti i AKI-së, Skender Rexhepi.
Ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, tha se Mickoski nuk ka qenë objekt i përgjimit. Megjithatë, Prokuroria ka hapur rast bazuar në dokumentacion të dorëzuar, që tregon se gjatë periudhës 2019–2024, punonjës të ASK-së kanë ndjekur në mënyrë të paligjshme komunikimet e Mickoskit, biznesmenëve dhe gazetarëve. Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, nuk i ka mohuar indiciet se ish-drejtori dhe një grup i vogël punonjësish kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Ai shtoi se Prokuroria është informuar, por detajet nuk mund të bëhen publike, për shkak të natyrës së klasifikuar dhe për të mos dëmtuar procesin.
ARMEND MURSELI
