Maqedoni
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Komisioni i Venecias po qëndron në Shkup
03.09.2025 15:51
Komisioni i Venecias po qëndron në Shkup në kuadër të përgatitjeve të mendimit të tyre për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat...

Komisioni i Venecias po qëndron në Shkup në kuadër të përgatitjeve të mendimit të tyre për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Vizita realizohet pas kërkesës së 11 korrikut të Qeverisë për të dhënë mendim për këtë ligj. Në këtë drejtim, sot në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ekipi qeveritar ka realizuar një bashkëbisedim duke trajtuar pyetjet dhe çështjet që kanë të
bëjnë me projektligjin.
“Ky ligj është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias për një arsye thelbësore: që ai të jetë plotësisht konform Kushtetutës dhe standardeve evropiane, duke eliminuar çdo hapësirë për interpretime apo kontestime të mëvonshme.”, thuhet në kumtesën e kabinetit të zëvendëskryeministrit, Arben Fetai.
Qeveria pret që vlerësimi i Komisionit të Venecias për këtë çështje do të jetë garanci për një ligj të fortë dhe të qëndrueshëm, si në aspektin juridik-kushtetues, ashtu edhe në atë institucional.
“Me këtë ligj, përfaqësimi i drejtë për herë të parë shndërrohet në një detyrim ligjor të qartë dhe të zbatueshëm për çdo institucion. Ndërkohë, brenda gjashtë muajve do të bëhet harmonizimi i të gjithë legjislacionit sektorial me obligimet që burojnë nga ky ligj.”, thuhet në njoftim.
