Maqedoni

Eurointegrimet, Rama: respektoni MO-në, t’ju mbështesim në NATO

20.05.2015 14:02

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ministerialin rajonal për ekstremizmin e dhunshëm ka folur për ngjarjet në Kumanovë dhe gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë...

Rama ka deklaruar se Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe Maqedonia të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit.
 
Shqipëria njëkohësisht mbështet edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.
 
“Të gjithë ne duam një Maqedoni të qëndrueshme, por jo të pajetueshme, duam një Maqedoni që të bëjë pjesë në NATO, por jo si grusht ushtarak. Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa garantuar Marrëveshjen e Ohrit"- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama konsideron se Kumanova është një çështje që nuk kishte lidhje me terrorizmin, por me mungesën e demokracisë. Kreu i Qeverisë shqiptare nënvizoi se është e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për terrorin që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës.
 
“Fatkeqësisht, në Kumanovë, fjala “terrorizëm” dhe “shqiptar” u bënë bashkë. Iu dha terrorizmit një prapashtesë etnike dhe kjo është e papranueshme për ne dhe për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë të qartë që shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në Maqedoni. Nuk duhet përzier termi “terrorist” në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por demokracinë”- tha Rama.
 
Kryeministri shqiptar, duke folur për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, tha se BE duhet të veprojë tani, pasi nesër mund të jetë vonë.
 
Rama gjithashtu ka potencuar se vendet e Ballkanit janë më pranë BE-së se sa njëri-tjetrit, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit rajonal. 
 
ERSAN PAJAZITI