Maqedoni
U takua ose jo Osmani me Gruevskin?!, Osmani: Është gënjeshtër, s’jam takuar
03.09.2025 16:16
Nxehet debati mes Mexhitit dhe Osmanit, nëse ky i fundit është takuar me ish-kryeministrin në arrati, Gruevski, në Budapest...

Nxehet debati mes Mexhitit dhe Osmanit, nëse ky i fundit është takuar me ish-kryeministrin në arrati, Gruevski, në Budapest. Osmani sërish i quan gënjeshtra të shpikura dhe lajme të rreme që prodhohen nga kundërshtari politik. Në asnjë moment nuk jam takuar me Gruevskin siç, thonë, për t’i siguruar deputetët për ndryshimet kushtetuese, shprehet Osmani.
“Po unë të kisha shkuar, do t’i kisha siguruar. Asnjë punë që e kam nisur nuk e kam lënë, qoftë ndryshimin e emrit, qoftë për NATO-n, qoftë fillimin e bisedimeve. Prandaj, po të kishte pasur takim do e thoja vetë: Po, kam shkuar për të siguruar deputetë. Nuk ka pasur takim, nuk e di sa herë duhet ta përsëris.”, - deklaroi Bujar Osmani nga BDI.
Mexhiti: Do ta vërtetojmë, takimi ka ndodhur
Por, Izet Mexhiti nga VLEN-i është i bindur për akuzën lëshuar drejt oponentit të tij, Osmani. Sipas tij, ish-ministri i Jashtëm, Osmani, në njëfarë mënyre mes deklaratës paraprake ka pranuar takimin në fjalë.
“E vërteta nuk mund të fshihet, do të dalë në opinion, por mendoj se deklarata e tij e parë ishte më e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Ai u mbulua tek informatat e klasifikuara, si ministër i Punëve të Jashtme dhe në mënyrë indirekte pranoi se ka pasur takim. Për të tjerat, ditëve në vijim.”, - theksoi Izet Mexhiti nga VLEN.
Javën e kaluar, Mexhiti tha se për takimin për të cilin pretendojnë kanë edhe dëshmi dhe këto do të zbardhen për opinionin në momentin kur do ta shohin të nevojshme.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
