Maqedoni

Vonesat e terapisë onkologjike, pacientët kërkojnë dënime për furnizuesit

03.09.2025 17:02

Rritja e buxhetit për prokurimin e terapisë biologjike dhe imunologjike...

Rritja e buxhetit për prokurimin e terapisë biologjike dhe imunologjike për pacientët me kancer nuk i ka zgjidhur problemet, thonë nga shoqata “Hemo-Onko”.
 
Sipas tyre, furnizuesit nuk po e dorëzojnë terapinë në kohë dhe thonë se duhet të ketë mekanizma nga shteti në mënyrë që pacientët ta marrin terapinë e nevojshme në kohë, si dhe të ketë dënime për shpalljen e parakohshme të tenderëve. 
 
“Mendoj që Fondi për Sigurim Shëndetësor veç më po punon në këtë aspekt me marrëveshje të ndryshme me kompanitë, që do të ekzistojnë edhe dënime për të gjithë ata që do të paraqiten për tender dhe nuk do të jenë në gjendje që në kohë t’ua sigurojnë pacientëve ilaçet e nevojshme.”, - deklaroi Ana Marijanoviq nga Shoqata “Hemo-Onko”
 
Drejtori i Onkologjisë thekson që me përjashtim të tenderëve ku nuk paraqiten ofertues, terapia e mbetur është në dispozicion. Njëherësh theksoi se punësimet e personelit shëndetësor në Klinikën e Onkologjisë janë në procedurë.
 
“Për momentin gjithçka është në rregull. E gjithë terapia e disponueshme që ishte në tenderin e fundit, së bashku me çmimet, është në dispozicion të pacientëve. Po ashtu punësimet janë në procedurë, kemi marrë miratim nga institucionet adekuate për punësimin e personelit që është në kontratë pune në periudhë të pacaktuar kohore. Bëhet fjalë për 21 persona si mjekë, infermierë, teknologë dhe fizikantë.”, - deklaroi drejtori i Onkologjisë, Igor Stojkovski.
 
Numri i pacientëve me kancer po rritet, por është e rëndësishme diagnostikimi i hershëm dhe marrja e rezultateve në kohë, thonë mjekët dhe fokusin e vendosën tek melanoma.
 
“Nëse vitin e kaluar përfunduam me njëqind e nëntëdhjetë pacientë të rinj që vuanin nga melanoma, dhe sot po merrnim vetëm numrin e pacientëve me melanomë të diagnostikuar dhe ishin 110, sigurisht që do të kemi numër shumë më të lartë deri në fund të vitit se numri i pacientëve me melanomë të diagnostikuar vitin e kaluar.”, - theksoi onkologjia, Maja Ivanova.
 
“Tek ne aktualisht është problem mungesa e kuadrit, por mendoj që kohëve të fundit po rritet interesimi për në patologji edhe tek studentët dhe doktorët që kanë përfunduar studimet.”, - u shpreh Magdalena Todorovska nga Instituti i Patologjisë. 
 
Mjekët po ashtu shprehen të shqetësuar se statistikat tregojnë që kanceri melanoma po u shfaqet edhe moshave të reja.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI