Botë

Garancitë e sigurisë për Kievin, Zelenski takohet me udhëheqësit evropianë

04.09.2025 10:38

Udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas takohen më 4 shtator në Paris...

Rreth 30 udhëheqës evropianë do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski mbi garancitë e ardhshme të sigurisë për Kievin nëse arrihet një armëpushim me Rusinë, duke shpresuar se kanë bërë mjaftueshëm për të bindur Shtetet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet e tyre.
 
Samiti bashkon udhëheqës kryesisht nga Evropa, por edhe nga Turqia, Australia dhe Kanadaja. Presidenti francez, Emanuel Makron, ka thënë së bashku me Zelenskin në Paris, të mërkurën, se udhëheqësit e koalicionit do të miratojnë planet për garancitë e sigurisë të përfunduara nga ushtritë e tyre. Dy zyrtarë evropianë kanë thënë se planet e detajuara "teknike" janë përfunduar pa hyrë në detaje se çfarë do të thoshte kjo në të vërtetë.
 
Zelenski, nga ana e tij, tha se ishte i bindur që aleatët e Kievit do të ndihmojnë “të rritet presioni mbi Rusinë për të shkuar drejt një zgjidhjeje diplomatike”. Disa orë para se të nisnin bisedimet, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se garancitë për Ukrainën ishin “absolutisht të papranueshme”.
 
Nuk ka garanci për sigurinë e Ukrainës, ato janë garanci për rrezikun ndaj kontinentit evropian.”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Ajo shtoi se Rusia nuk do të pranojë të diskutojë për dislokimin e trupave të huaja në Ukrainë “në asnjë format”.