Botë

Qeveria portugeze shpall ditë zie kombëtare

04.09.2025 11:47

Qeveria portugeze ka shpallur ditën e enjte si ditë zie kombëtare, në nderim të 15 viktimave që humbën jetën të mërkurën....

Qeveria portugeze ka shpallur ditën e enjte si ditë zie kombëtare, në nderim të 15 viktimave që humbën jetën të mërkurën. Tragjedia ndodhi në Lisbonë, ku një tramvaj elektrik doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë gjatë orarit të pasdites.
 
Në mesin e 18 të plagosurve, ndodhen edhe pesë persona në gjendje kritike për jetën dhe një fëmijë i mitur. Kryeministri Luis Montenegro anuloi të gjitha aktivitetet publike dhe institucionale, duke konfirmuar pjesëmarrjen vetëm virtuale në një samit ndërkombëtar në Paris.
 
Ndërkohë, presidenti Marselo Rebelo de Sousa anuloi një event të planifikuar në Pallatin Belem. Autoritetet ndërprenë përkohësisht edhe linjat e tjera të transportit urban për inspektime të jashtëzakonshme sigurie. Tragjedia ka lënë pas jo vetëm humbje njerëzore, por edhe një traumë kolektive për banorët e Lisbonës. Banorët vendosën lule dhe qirinj pranë vendngjarjes, ndërsa flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmë shtize.