Botë
Florida do heqë vaksinimin e detyruar? Reuters zbulon: Vendimi le të jetë personal
04.09.2025 13:33
Florida planifikon t’i japë fund vaksinimit të detyruar, duke përfshirë këtu atë të nxënësve...

Florida planifikon t’i japë fund vaksinimit të detyruar, duke përfshirë këtu atë të nxënësve, siç pohoi kreu i shëndetësisë atje, Joseph Ladapo.
Ekspertët e shëndetit publik menjëherë paralajmëruan se një hap i tillë mund të ketë pasoja të rënda për fëmijët, turistët dhe personat me një sistem të dobësuar imunitar.
Megjithatë Ladapo, së bashku me Guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, e përshkruan vaksinimin si një çështje që duhet të jetë në sferën e zgjedhjes personale. Kryekirurgu madje e krahasoi një detyrim të tillë të imponuar qytetarëve me “skllavërinë”.
“Kush jam unë si zyrtar qeveritar, apo edhe thjesht si njeri, t`ju tregoj se çfarë duhet të bëni me trupin tuaj. Nuk e kam këtë të drejtë. Trupi juaj është një dhuratë nga Zoti”, u shpreh Ladapo.
Ai theksoi se agjencia e tij do të anulojë mandatet për gjysmë duzine vaksinash nën autoritetin e saj, por do të duhet të bashkëpunojë me Legjislaturën e Floridës të dominuar nga republikanët për një paketë më të gjerë reformash.
Ladapo nuk sqaroi se për çfarë vaksinash do të bëhet fjalë saktësisht. Republikani DeSantis, u shpreh se “liria mjekësore duhet mbrojtur, e për këtë, siç u shpreh ai, të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm.
Të gjitha shtetet e SHBA-së kanë detyruime vaksinimi në shkollat publike, me përjashtime specifike që mund të variojnë nga shteti në shtet.
