Maqedoni

8 dosje mjekësore janë dorëzuar te komisioni intern, Aliu: Në kardiokirurgji, mungesë e stafit mjekësor

04.09.2025 14:14

Tetë dosje mjekësore nga një institucion shëndetësor publik i janë dorëzuar Komisionit të Brendshëm...

Tetë dosje mjekësore nga një institucion shëndetësor publik i janë dorëzuar Komisionit të Brendshëm të sapoformuar për të hetuar parregullsitë e mundshme në intervenimet kardiokirurgjike që kanë shkaktuar shqetësim publik, informoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Ai shtoi se një shqyrtim i jashtëzakonshëm nga ekspertë të rasteve të njëjta është kërkuar edhe nga Oda e Mjekëve.
 
“Deri te komisioni i brendshëm janë dorëzuar dosje mjekësore për 8 raste. Komisioni do t’i shqyrtojë të gjitha me hollësi, me qëllim që të përcaktohet e vërteta mbi bazën e fakteve mjekësore. Komisioni nesër do të mblidhet dhe këto dosje do të jenë rasti i parë për të cilët do të veprohet. MSh-ja ka kërkuar edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale nga ana e Odës Mjekësore. Qytetarët duhet të jenë të sigurt kur kërkojnë shërbime shëndetësore në shtet, ato t’i marrin mbi bazën e nevojës reale dhe provave mjekësore, e jo mbi vlerësime të përgjithshme apo motive korruptive.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. 
 
Lidhur me problemet aktuale në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku, sipas ankesave nga pacientët, nuk po kryhen ndërhyrje dhe transplante, Aliu konfirmoi se ka mungesë të stafi profesional.
 
“Në aspekt të kardiokirurgjisë është i limituar numri i ndërhyrjeve kirurgjike për shkak të ekipit, i cili nuk është i kompletuar, pra kemi kardiokirurgë shumë të mirë, por nëse nuk keni anesteziolog që nuk mundeni të ndërhyni të merrni pacient dhe të operoni, në moment që anashkalohet ky proces - ndërsa është proces, i cili nuk mund të zgjidhet menjëherë - për shkak se kërkon disa vite që ju të krijoni ekspert anesteziolog. Ne sot, patëm një takim me drejtorin e kardiokirurgjisë, por gjithashtu me drejtorin, i cili momentalisht nga Sllovenia është në Maqedoni, që të bëjë një memorandum bilateral ndërmjet dy shteteve, me qëllim që të bëjë mobilitet të mjekëve dhe motrave medicinale ndërmjet dy shteteve.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Komisioni intern në ministri u formua pasi kardiologu Sashko Kedev muajin e kaluar akuzoi se në spitalet private po bëhen intervenime të panevojshme kirurgjike vetëm për të marrë para nga pacientët.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI