Rajon

Kosovë, nën petkun e OSBE-së spiunonte për BIA-në serbe

04.09.2025 14:41

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj J.GJ. për veprën penale “Spiunazh”....

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj J.GJ. për veprën penale “Spiunazh”. J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e zyrtares së Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë. E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë. J. GJ. nga pozita e saj në OSBE, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, po ashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës. 
 
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J. GJ. janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihet në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
 
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që e rëndon dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.
 
FITORE DEMOLLI