Maqedoni
Takimi Zaev-Gruevski, BE: Diskutim i sinqertë rreth temave kyçe
20.05.2015 14:44
Liderët e VMRO-së dhe LSDM-së, Gruevski dhe Zaev, mbetën të orientuar drejt proceseve eurointegruese dhe principeve demokratike...

Pas dhjetë orë bisedimesh maratonike në Strasburg, liderët maqedonas, Gruevski dhe Zaev, janë dakorduar që në vend të parë t’i vendosin interesat shtetërore, thonë politikanët evropianë ndërmjetësues në dialogun mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
Vetë Gruevski dhe Zaev nuk janë prononcuar pas takimit, por me komunikatë të përbashkët kanë dalë edhe europarlamentarët, Hovit, Kukan dhe Vajgël, si dhe eurokomesari, Johanes Han, me ndërmjetësimin e të cilëve udhëhiqet dialogu.
“Partitë e konfirmuan përcaktimin e tyre për integrimin në BE dhe parimet demokratike dhe u pajtuan se në vend të parë duhet t'i vendosin interesat e vendit. Deputetët dhe komisari Han e përshëndetën diskutimin e sinqertë rreth temave kyçe të mospajtimeve. Të gjitha palët u pajtuan se është e rëndësishme që takimet të vazhdojnë"- u tha mes tjerash nga europarlamentarët dhe eurokomesari.
BE përshëndet hapat e liderëve maqedonas për gjetjen e zgjidhjes në interes të qytetarëve, me qëllim që të dilet nga kriza politike. Dialogu mes 3 eurodeputetëve dhe komesarit Hahn do të vazhdojë të jetë një prej mekanizmave lehtësues të BE-në në dialogun e munguar politik mes partive në Maqedoni.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
