Maqedoni
Skandali i përgjimeve, Mickoski: Gjyqësori të zbardhë rastin
04.09.2025 15:04
VMRO-DPMNE me akuza se LSDM për pesë vite ka vënë të gjithë arsenalin përgjues të ASK-së kundër Mickoskit...

VMRO-DPMNE me akuza se LSDM për pesë vite ka vënë të gjithë arsenalin përgjues të ASK-së kundër kryeministrit, Hristijan Mickoski. Sipas partisë së Mickoskit, synimi i socialdemokratëve ka qenë pushteti duke përgjuar çdo hap të Mickoskit dhe dokumentuar të njëjtin. Kryeministri Hristijan Mickoski zbardhjen e rastit e lë në duart e aparatit gjyqësor.
“Pres nga Prokuroria dhe Gjyqësori që rastin në fjalë ta çojnë deri në fund. E shoh opozitën të shqetësuar, dhe duhet të jenë, pasi që me dekada po keqpërdorin burimet e shërbimeve, të ASK-së dhe Agjencisë së Zbulimit. Vlerësoj se njëherë e përgjithmonë duhet t’i vihet fundi i keqpërdorimit të burimeve duke ndërhyrë në jetën e huaj.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Petrovska: Kërkojmë akses në informacionet
Demaskimi i skandalit të përgjimeve bën partitë politike të dalin me kërkesa të ndryshme. Deputetët e LSDM-së kanë kërkuar deklasifikim urgjent të informacioneve që tangojnë skandalin. Ata kërkojnë të mblidhet komisioni për mbikëqyrjen e punës së ASK-së që deputetët ta mësojnë, sipas tyre, të vërtetën.
“Ne kërkojmë deklasifikim që pas mbikëqyrjes të informojmë qytetarët, por edhe mediat për atë se çfarë kemi parë dhe lexuar. Përderisa ato dokumente të cilat u janë dorëzuar Prokurorisë Publike, mbeten të padeklasifikuara, ato do të mbeten enigmë se çfarë ka shkruar në to dhe a ka pasur me të vërtetë keqpërdorime të detyrës zyrtare të ish-drejtorit dhe të punësuarve.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
Mexhiti: Nuk kam informacion
Nëse përpos kryeministrit, ka qenë i përndjekur edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ai thotë se s’ka informacione të tilla.
“S’kam informatë. Nuk jam marrë me këto informata.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Ndërkohë kryetari i komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së ASK-së, Skender Rexhepi, s’do të thërrasë mbledhje të komisionit, në mungesë të certifikatës së sigurisë. I mbetet kryeparlamentarit të vendosë se kur do të caktojë orar për mbledhjen e këtij trupi mbikëqyrës të organeve sekrete të shtetit.
MERAL ISMAILI
