Maqedoni

LSDM: S'ka tekste shkollore, nuk funksionon e-ditari

04.09.2025 15:21

LSDM akuzon se arsimi dhe nxënësit në Maqedoni po e paguajnë çmimin e paaftësisë së ministres Vesna Janevska...

Partia opozitare LSDM akuzon se arsimi dhe nxënësit në Maqedoni po e paguajnë çmimin e paaftësisë së ministres Vesna Janevska dhe kryeministrit Mickoski, për kaosin e shkaktuar në fillimin e vitit të ri shkollor, veçanërisht me tekstet shkollore. Sipas tyre, ata gënjyen nxënësit se do të kenë libra të reja, ndërsa ajo me të cilin u ballafaquan ishin tekste të dëmtuara dhe mungesë e librave. Libra ka vetëm nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa për nxënësit e tjerë kaos i plotë. Edhe ditari i ri elektronik me sistem të përmirësuar me inteligjencë artificiale është bllokuar dhe nuk funksionon.
 
“Edhe pse Janevska dhe VMRO-DPMNE premtuan se të gjithë fëmijët do të kenë libra të rinj, e vërteta është e dhimbshme, Mickoski dhe Janevska gënjyen. Mungojnë shumë tekste shkollore, nxënësit nuk kanë libra për një numër të madh lëndësh, e edhe ato që janë shpërndarë janë të grisura, të dëmtuara ose të paplota. Nuk ka tekst për matematikë për klasën e 8-të; në shumë shkolla janë ndarë vetëm disa kopje, disa fëmijë morën, disa jo, dhe duhet t’i ndajnë mes vete. Edhe për historinë e klasës së 8-të nuk ka tekst, ndaj është shpërndarë përmes Viber-it versioni elektronik që prindërit ta printojnë vetë. Mungojnë tekste edhe për kimi dhe fizikë, nuk ka libra as për gjuhët e huaja, ndërsa gjendja në shkollat profesionale është edhe më e keqe. Mjaft më me eksperimente në kurriz të fëmijëve. Arsimi nuk duhet të jetë peng i popullizmit dhe paaftësisë së Vesna Janevskës.”, - deklaroi Jovançe Manaskov nga LSDM.
 
MASh: Ka libra për të gjithë, shpërndarja po vazhdon
 
Lidhur me akuzat e LSDM-së kanë reaguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas tyre janë katër ministra të qeverisjes së tyre që nuk arritën të sigurojnë libra të rinj, e as ta përmirësojnë ditarin elektronik me të cilin mësuesit kishin sfida të mëdha. 
 
"Informojmë se ka libra për të gjithë nxënësit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës këtë vit i ka shtypur të gjitha tirazhet që i kërkuan shkollat, përmes një aplikacioni elektronik të posaçëm për paraqitjen e sasive të nevojshme të librave. Janë shtypur tekstet e miratuara më herët për të gjitha lëndët, të rejat për klasën e shtatë dhe për vitin e parë në gjimnaz, si dhe librat e rinj për gjuhët e huaja që mungonin prej shtatë vitesh! Pjesa më e madhe e tirazhit, mbi 90%, është shpërndarë, ndërsa shpërndarësve u duhen edhe disa ditë për ta përmbyllur plotësisht shpërndarjen.", thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 
 
Sa i përket ditarit të ri elektronik, nga MASh-i theksojnë se ai është përgatitur me mbështetje nga Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA dhe është testuar së bashku me përdoruesit dhe funksionon shumë mirë. Në sistem tashmë janë të regjistruar mbi 250 mijë përdorues. Të dhënat nga sistemet e vjetra janë transferuar në sistemin e ri, thonë nga MASh-i.
 
FLORIJE KAMBERI