Maqedoni
Rrahja e të rinjve në Tetovë, partitë shqiptare kërkojnë zbardhjen e rastit
04.09.2025 15:48
Mbrëmjen e djeshme një grup të rinjsh të komunitetit maqedonas kanë rrahur dy nxënës të shkollave ekonomike të Tetovës...

Mbrëmjen e djeshme një grup të rinjsh të komunitetit maqedonas kanë rrahur dy nxënës të shkollave ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore. Bëhet fjalë për 20 tifozë të klubit “Teteks”, të cilët kanë sulmuar dy nxënësit në mënyrë brutale e të cilët më pas janë dërguar në spitalin e Tetovës, ku dhe janë konstatuar lëndimet. Nga atje kanë informuar se dy të rinjtë njëri i moshës 17-vjeçare e tjetri i moshës 15-vjeçare kanë pësuar lëndime edhe në fytyrë.
“17-vjeçari është me frakturë të eshtrave të hundës, ndërsa 15-vjeçari ka plasaritje të eshtrave të hundës, lëndime të konstatuara nga radiologu, u bëmë impoilizim të hundës së pacientëve me frakturë, i shkruam terapinë dhe u lëshua në trajtimet e shtëpisë.”, kanë informuar nga Spitali i Tetovës.
Nga Policia e Tetovës e kanë konfirmuar rastin. Nga atje kanë theksuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë dhe se për informacione të detajuara do të dalin me komunikatë.
Ndërkohë edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë, Izet Mexhiti, tha se organet e rendit kanë marrë masa për zbardhjen e rastit.
“Janë marrë masa, isha në kontakt të vazhdueshëm edhe me organet e rendit, janë privuar nga liria, i dënoj këto raste.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Lidhur me rastin kanë reaguar partitë politike. Kërkojnë që ky rast të zbardhet urgjentisht.
“Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend. Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike.”, - thanë nga BDI.
Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se këto skena të dhimbshme po përsëriten edhe sot, të nxitur nga një klimë politike e më shumë antishqiptare. Edhe koalicioni VLEN dënon ashpër dhunën ndaj dy nxënësve shqiptarë nga një pjesë e tifo-grupit “Vojvodët” në Tetovë.
“Ne e përshëndesim reagimin e shpejtë të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, të cilët në kohë rekord identifikuan dhe arrestuan disa prej grupit të tifozëve të dyshuar. Ky reagim i shpejtë është porosi e qartë dhe e prerë se incidente të tilla nuk do të lejohen dhe autorët nuk do të kalojnë pa ndëshkim, siç ndodhte në të kaluarën.”, - thanë nga VLEN.
Reagime të shumta kanë pasuar edhe nga opinioni i gjerë publik duke theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të jetë vend i barazisë, sigurisë dhe respektit të ndërsjellë, jo terren i frikës dhe urrejtjes.
ARMEND MURSELI
