Maqedoni
Delegacioni i Komisionit të Venecias, vizitë kushtetueses, të gatshëm për dialog
04.09.2025 16:06
Në kuadër të vizitës së tyre në vend, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias janë takuar edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese

Në kuadër të vizitës së tyre në vend, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias janë takuar edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe gjykatësen, Ana Pavllovska Daneva.
Sipas kushtetueses, palët në takim kanë shprehur kënaqësi për nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe dialogut të vazhdueshëm për çështjet e sundimit të ligjit.
“Anëtarët e Komisionit të Venecias shprehën interes për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit të Gjykatës U.br.90/2024, i cili shfuqizoi dispozitat e disa ligjeve dhe akteve nënligjore që lidhen me konceptin e “përkatësisë së komuniteteve”, ku disa janë edhe pjesë nga Metodologjia për planifikimin e punësimit në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, i njohur në publik si “Balancuesi”. Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe dialogun konstruktiv në periudhën e ardhshme.”.
VLEN: Padrejtësia mbaroi, përfaqësimi i drejtë po vjen
Pas takimit të një dite më parë mes pjesëtarëve qeveritarë dhe përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, VLEN-i sërish potencon se me qeverisjen e tyre merr fund padrejtësia, e cila do të zëvendësohet me përfaqësim real dhe adekuat për të gjithë qytetarët. Njëherësh akuzojnë BDI-në se në kohën e qeverisjes së tyre, ky mekanizëm është shfrytëzuar si fasadë nepotizmi dhe jo si Ligj për Përfaqësim të drejtë.
“Me këtë ligj, çdo institucion do të jetë detyruar të respektojë dhe avancojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Brenda gjashtë muajve, të gjithë ligjet sektoriale do të harmonizohen me obligimet që burojnë nga ky ligj, duke e bërë barazinë dhe drejtësinë standard funksional për të gjithë qytetarët. Për 20 vite me radhë, BDI sot e ribrenduar si Aleanca e Koalicionit të Interesave (AKI) i mbajti peng shqiptarët, duke e përdorur parimin e përfaqësimit të drejtë si maskë për korrupsionin, pazaret dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit të saj.”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
