Botë

Protestat në Izrael dalin jashtë kontrolli, kërcënohet me jetë Netanjahu dhe familja e tij

04.09.2025 16:29

Izraeli është përfshirë nga një valë e re protestash masive kundër Qeverisë së Benjamin Netanjahut...

Izraeli është përfshirë nga një valë e re protestash masive kundër Qeverisë së Benjamin Netanjahut, teksa mijëra qytetarë në Jerusalem dhe qytete të tjera kërkojnë fundin e menjëhershëm të luftës në Gazë dhe lirimin e të gjithë pengjeve. Përleshjet mes demonstruesve dhe policisë eskaluan deri në përdorimin e topave me ujë, ndërsa disa protestues u arrestuan pasi bllokuan rrugët dhe ndezën goma, makina dhe kontejnerë përpara rezidencës së kryeministrit, gjë që detyroi evakuimin e banorëve të zonës. Në zemër të revoltës qëndrojnë familjet e pengjeve izraelite, të cilët drejtojnë akuza të forta ndaj kryeministrit Benjamin Netanjahu.
 
“Vetëm ti Netanjahu mund të vendosësh që t’i kthesh nesër. Është në duart e tua. Por, ti zgjedh që ata të vazhdojnë të vuajnë, të na braktisësh edhe ne.”, - tha nëna e një pengu, Anat Angpest.
 
“Nuk do të bëjmë kompromis, edhe nëse nuk flemë për dy vjet. Do të rrimë këtu, pranë dritares sate, derisa t’i kthesh pengjet tona.”, - u shpreh nëna e një pengu tjetër, Viki Koen. 
 
Netanjahu reagoi ashpër, duke i akuzuar protestuesit se “kanë kaluar vijat e kuqe”.
 
“Në demokraci, demonstratat janë të ligjshme. Por, këto janë protesta të financuara, të organizuara dhe politike kundër qeverisë që kanë shkelur çdo kufi. Ato shkatërrojnë prona, bllokojnë rrugë, shkaktojnë pakënaqësi tek miliona qytetarë. Çdo ditë më kërcënojnë mua dhe familjen time me vdekje.”, - deklaroi  kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Ndërkohë që presioni i brendshëm dhe ndërkombëtar mbi qeverinë izraelite rritet, forcat ushtarake vazhdojnë sulmet intensive në Rripin e Gazës. Pamje rrëqethëse vijnë nga terreni.
 
“E pashë djalin, e gjeta duke qëndruar në tokë. Një plumb e kishte goditur në bel. Kundër kujt lufton Netanjahu? Ai thotë se lufton kundër Hamasit, por në të vërtetë lufton kundër fëmijëve, kundër njerëzve të pafajshëm që s’kanë lidhje me asgjë.”, - tha babai i një viktime palestineze, Bashir Al-Hindi.
 
Reagimet ndërkombëtare janë gjithashtu të ashpra. Turqia u shpreh se nuk do të qëndrojë heshtur përballë kësaj masakre.
 
“Kurrë nuk do të qëndrojmë mënjanë dhe të heshtur duke parë masakrën që po kryen tirani dhe shtypësi i njohur Netanjahu.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Tramp kërkoi lirimin e menjëhershëm të pengjeve si kusht për përfundimin e luftës.
 
“Hamasi duhet t’i lirojë menjëherë pengjet, nëse dëshiron që lufta të marrë fund.”, shkruan Trampi në rrjetet e tij sociale. Vetë Hamasi u përgjigj duke shprehur gatishmërinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse: shkëmbim të të gjithë pengjeve izraelitë me të burgosurit palestinezë dhe krijimin e një administrate teknokratike të pavarur për të qeverisur Gazën. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU