Maqedoni
Vazhdon gjyqi kundër ish-drejtorit të Onkologjisë dhe tre onkologëve
05.09.2025 10:01
Procesi gjyqësor kundër katër onkologëve, mes tyre edhe ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev...

Procesi gjyqësor kundër katër onkologëve, mes tyre edhe ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm të pacientëve, pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit.
Akti i akuzës i ngarkon mjekët për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve dhe për mjekim të pakujdesshëm, gjatë së cilit 29 pacientëve u janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me devijime në dozimin dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes shëndetësore.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së të pandehurës së dytë, Meri Peshevska, për të cilën avokati dorëzoi dokumentacion mjekësor dhe kërkesë për shtyrje. Në bankën e të akuzuarve atëherë ishin i akuzuari i parë Vasev dhe dy onkologët, Simonida Crvenkovska dhe Dragan Jakimovski.
Mbrojtja dorëzoi prova shtesë me të cilat kundërshtohen ekspertizat e Prokurorisë, ndërsa avokati i Vasevit kërkoi përjashtimin e një pjese të provave të marra nga Sllovenia, duke pretenduar se ekspertja Maja Radnik nuk ka status zyrtar në atë vend. Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska vlerësoi se këto pretendime janë të pabazuara, pasi aktakuza tashmë e ka kaluar fazën e vlerësimit.
Gjykatësja Snezhana Markovska e pranoi kërkesën për shtyrje, në mënyrë që Gjykata të njihet me kërkesat e reja të mbrojtjes.
