Botë

Izraeli intensifikon sulmet në Gazë, 40% e territorit në Gazë është nën kontrollin e IDF-së

05.09.2025 13:51

Ushtria izraelite njoftoi të enjten se ka pushtuar 40% të Qytetit të Gazës...

Vazhdojnë sulmet izraelite në Gazë, me intensitet të fuqishëm. Në këto sulme janë vrarë dhjetëra civilë dhe janë plagosur qindra të tjerë. Numri i saktë akoma nuk dihet. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka marrë nën kontroll 40 për qind të territorit të Gazës dhe ka paralajmëruar një ofensivë më të intensifikuar në ditët në vijim. Izraeli planifikon të marrë nën kontroll qytetin më të populluar në Rrip, ku jetojnë rreth një milion njerëz, shumica prej tyre të zhvendosur disa herë.
 
“Vazhdojmë të godasim infrastrukturën e Hamasit. Aktualisht kontrollojmë 40 për qind të territorit të qytetit të Gazës. Operacioni do të zgjerohet dhe intensifikohet në ditët në vijim. Ky është vetëm fillimi.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Efi Dafrin. 
 
Nëpërmjet një videoje, Izraeli konfirmoi vrasjen e zëdhënësit të krahut të armatosur të Hamasit. Ndërkohë që burime palestineze raportojnë për dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, UNICEF-i paralajmëron se rreziku nga uria po thellohet dhe fëmijët duhet të mbrohen.
 
“Bota po paralajmëron për një katastrofë të mundshme për gati një milion njerëz që ndodhen në qytetin e Gazës, nëse ofensiva ushtarake intensifikohet. Situata është në përshkallëzim. Kequshqyerja dhe uria po i dobësojnë fëmijët, zhvendosja ua ka marrë shtëpitë dhe kujdesin, ndërsa bombardimet po e rrezikojnë çdo lëvizje të tyre.”, - theksoi zëdhënësja e UNICEF-it, Tes Ingram. 
 
Ingram u bëri thirrje autoriteteve izraelite të rishikojnë rregullat e luftës për të mundësuar ndihmën humanitare, por gjithashtu kërkoi nga Hamasi që të lirojë të gjithë pengjet që mbahen tashmë prej 700 ditësh. Familjarët e pengjeve i dërguan një mesazh ish-presidentit Tramp përmes një pankarte “Doni t’i shpëtoni? Shpëtoni ata! Mos flisni!”. ShBA-ja ka vendosur sanksione ndaj disa organizatave civile palestineze, të cilat kërkojnë që situata në Gazë të shpallet si gjenocid. Këto masa erdhën vetëm pak ditë pasi shoqata më e madhe akademike e studiuesve të gjenocidit në botë miratoi një rezolutë ku thuhet se janë përmbushur kriteret ligjore për të konstatuar se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU