Maqedoni
Gati të gjitha librat janë kompletuar, mungon libri i historisë për klasat e teta
05.09.2025 15:00
Tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore, gati të gjitha janë të kompletuara dhe gjithçka është në rregull...

Tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore, gati të gjitha janë të kompletuara dhe gjithçka është në rregull, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Megjithatë ajo u shpreh se ka sfida me librin shkollor të matematikës për klasën e katërtë dhe për këtë kërkohet punë shtesë. Probleme ka edhe me librin e historisë për klasën e tetë, sepse i njëjti u tërhoq në vitin 2018, pas kërkesës së Komisionit të Përbashkët bullgaro-maqedonas. Pas këtij vendimi qeveria e kaluar nuk ka gjetur zgjidhje gjithë këto vite për libër të ri. Sipas saj, është humbje e parave të buxhetit të bëjnë një libër të ri, që do të përdoret vetëm një vit.
“Konsideroj se është një humbje e panevojshme e parave të buxhetit të shtypet një libër shkollor për klasën e tetë sipas Programit të vjetër, kur pas dy javësh do të kemi një Program të ri dhe një libër shkollor të ri për klasën e tetë. Përveç kësaj, ai libër shkollor, i cili thuhet se po shpërndahet në shkolla, nuk është një libër shkollor i miratuar.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Në të njëjtën kohë në arsim ka hyrë edhe Inteligjenca Artificiale. Kjo është pjesë e përpjekjeve te Qeverisë për të ndjekur trendet botërore, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe efikasitetit në arsim, thonë nga ministria përkatëse. Është përgatitur edhe kuadër arsimor, që është trajnuar për përdorimin e Inteligjencës Artificiale .
“Fusha e Inteligjencës Artificiale, siç e dimë të gjithë, është një sferë shumë dinamike, po zhvillohet dhe ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme. Dita-ditës zbulohen gjëra të reja dhe duhet të zhvillojmë njohuri të reja. Për këtë arsye në një takim është e vështirë të përfshihen të gjitha gjërat dhe për këtë arsye rekomandojmë që udhëzuesi të përditësojë njohuritë vazhdimisht dhe të ndjekë trendet e reja.”, - theksoi udhëzuesi për Inteligjencën Artificiale, prof. dr. Zdenka Stojanovska.
Ndërkohë, Inteligjenca Artificiale po depërton në shkolla. Qeveria ndjek këtë trend botëror, me qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së arsimit. Nga Ministria e Arsimit theksojnë se po përgatitet edhe një udhëzues që do t’u ndihmojë mësuesve, stafit profesional dhe nxënësve të shfrytëzojnë në maksimum Inteligjencën Artificiale.
ABIBE QAILI
