“Kumanova”- të arrestuarit, familjarët kërkojnë ndihmë mjekësore
Familjarët e të arrestuarve në Kumanovë vazhdojnë të kërkojnë mjekim adekuat dhe kushte më të mira për të afërmit e tyre që ndodhen në burgun e Shutkës...

Vëllai i Andi Krasniqit dhe i Esat Kafexholit dorëzuan deklaratë deri te Avokati i Popullit për gjendjen e rëndë shëndetësore të të afërmve të tyre dhe kërkojnë ndihmën institucionale për të drejtat që u garantohen të arrestuarve edhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ata thonë se në trupat e familjarëve të tyre të arrestuar ende shihen qartë shenjat e rrahjes.
“Kam qenë në vizitë e kam parë vëllanë për rreth 15 -20 minuta, vizita ka qenë shumë e shkurtër. Gjendja e tyre shëndetësore është shumë e rëndë dhe shumë e vështirë. Ata janë të plagosur, e kam fjalën për vëllanë tim që e kam parë me sytë e mi. Është i mavijosur në tërë fytyrën, ka pjesë të granatës në pjesën e pasme të trupit dhe i ka brinjët e thyer. Trajtimi mjekësor nuk është si duhet me këtë gjendje të cilën e ka ai, është dashur të jetë në spital e jo në paraburgim”- deklaroi vëllai i Andi Krasniqit, Hazir Krasniqi.
“Në takimin me vëllanë tim pash se ai është i plagosur në anën e majtë të kokës, ka pjesë granate në trup dhe nuk ka trajtime mjekësore. Aty ka maltretime psikike, fyerje, sharje. Vizita ka qenë shumë e shkurtër”- tha vellai i Esat Kafexholit, Bedri Kafexholi.
“Kemi qenë të hënën për të vizituar gjendja e tyre shëndetësore, e atij nuk është e mirë. Ai në vizitën tonë erdhi në këmbë të veta, por normal se fytyra e tij, buzën dhe sytë i kishte të mavijosura. Në shpinë, në qafë dallohej se mezi e mban trupin e vet. Për momentin gjendja e tyre shëndetësore dhe psikologjike nuk është e mirë. Sa e di unë maltretime fizike në këtë moment nuk ka, por maltretime psikike aty ka”- theksoi bashkëshortja e Demë Shehut, Arijeta Shehu.
Avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, tashmë ka konstatuar se nuk janë të respektuar parimet themelore gjatë arrestimit të të arrestuarve në Kumanovë. Ai për keqtrajtimet e vërejtura tek disa prej të burgosurve, ngriti fletëparaqitje penale ndaj policëve të panjohur dhe kritikoi ashpër drejtuesit e burgut të Shutkës që nuk lejuan të vizitohen të gjithë të arrestuarit.
Nga Komiteti i Helsinkit për TVM-2 thonë se në ditët në vijmë do t’i kontaktojnë të gjitha institucionet dhe në rast se ka kërkesa, ata do të çojnë lutje deri burgu i Shutkës për të vizituar të arrestuarit në rastin e Kumanovës. (Rexhep Qamili, TVM2)
