Maqedoni

Filloi gjykimi për rastin "Onkologjia", Vasevi dhe dy onkologë ndihen të pafajshëm, Pesheva pranoi fajin

05.09.2025 15:31

Ish-drejtori i Klinikës për Sëmundje, Onkologjike dhe Radiologji, Nikolla Vasev, nuk ndihet fajtor për krime të rënda...

Ish-drejtori i Klinikës për Sëmundje, Onkologjike dhe Radiologji, Nikolla Vasev, nuk ndihet fajtor për krime të rënda kundër shëndetit të njeriut dhe trajtimit të pakujdesshëm të 29 pacientëve. Faj nuk ndjejnë edhe dy kolegë të tij onkologë, Simonida Cërvenkovska dhe Dragan Jakimovski. Vasevi në fjalët hyrëse para gjykatës tha se ai është mjek me përvojë të gjatë dhe specialist për aplikimin e imunoterapisë, andaj nuk ndjen faj se në mënyrë të gabuar i ka mjekuar pacientët. Kthesë në gjykim ishte deklarimi i të akuzuarës së dytë, Meri Peshevska. Ajo pranoi fajin për mjekim të pakujdesshëm, ndërsa potencoi se faksimilja e saj është keqpërdorur. Sipas saj, ai ka qëndruar në sportelin e spitalit dhe se me nënshkrimin e saj janë vërtetuar raporte mjekësore, që i kanë trajtuar specializantët.
 
Procesi gjyqësor për onkologen Meri Pesheva do të vazhdojë ndaras dhe së shpejti pritet vendim gjyqësor. Sipas Prokurorisë, katër onkologët në mënyrë të vrazhdë i kanë shkelur rregullat e praktikës mjekësore dhe onkologjisë, duke i sjellë në hutim pacientët e sëmurë. Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë ata iu kanë administruar pacientëve terapi, e cila jo vetëm që nuk u ka ndihmuar, por ndoshta dhe ua ka vështirësuar gjendjen.
 
"I akuzuari Nikolla Vasev, si mjek, në mënyrë të vetëdijshme dhe sistematike ka vepruar në mënyrë joetike, duke shkaktuar dëmtim të rëndë në shëndetin e pacientëve. Ka bërë më shumë vepra penale, duke i thyer standardet dhe procedurat onkologjike.", u shprehën nga Prokuroria.
 
Në këtë rast, Prokuroria i akuzon mjekët për vazhdimin e “krimeve të rënda kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtimit të pakujdesshëm”, me ç’rast 29 pacientëve u janë dhënë terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa një vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore. Përveç kësaj, kundër ish-drejtorit Vasev dhe ish-drejtorit ekonomik të klinikës, Nehat Nuhi, është ngritur akuzë tjetër për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2.2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit. Sipas aktakuzës, ata kanë blerë ilaçe në mënyrë të jashtëligjshme përmes tenderëve fiktivë, duke përvetësuar pjesë të terapisë dhe duke dëmtuar buxhetin.
 
FLORIJE KAMBERI