Maqedoni

Dyshimet për përgjimet e paligjshme, anulohet seanca e Komisionit për Mbikëqyrje të Punës së ASK-së

05.09.2025 15:57

Seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare u anulua....

Rexhepi: Nëse do të mbahej, do të ishte shkelje e rregullores
 
Seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare u anulua, kjo, pasi siç theksoi kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi, në qoftë se do të mbahej do të kishte qenë shkelje e Rregullores së Punës së Parlamentit. Rexhepi gjithashtu tha se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nuk i ka paraqitur atij një kërkesë për të thirrur seancën, gjë që duhej ta bënte sipas Rregullores së Punës.
 
“Deri tek unë nuk ka pasur kërkesë as nga një e treta e anëtarëve të Komisionit, e as nga kryetari. Ai kokë në vete ka ftuar dje mbledhje dhe normalisht do e zhbëjë, sepse ne nuk lejojmë që të shkelet Rregullorja, së paku derisa jam unë këtu nuk e lejoj një gjë të tillë. Momentin që do të ketë kërkesë, atëherë do të vendoset konform kërkesës, do të vendos unë si kryetar i Komisionit. Ky shtet është bërë “banana shtet”, ku secili secilin e përgjon.”, - deklaroi deputeti, Skender Rexhepi.
 
Prenxhov: Të martën, në orën 9, deputetët të hyjnë në ASK
 
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov, tha se nuk e kupton konferencën e sotme të Skender Rexhepit. Kërkon që të martën, më 9 shtator, në orën 09:00, deputetët të hyjnë në ASK për të parë çfarë ka ndodhur.
 
“Në ditën e parë të punës nga sot, Komisioni duhet të jetë në ASK në mënyrë që të njihet me të gjitha dosjet dhe të gjitha dokumentet rreth asaj që ka ndodhur. Çdo gjë tjetër, përveç kësaj, është lojë me vullnetin e qytetarëve dhe interesin publik, sepse vizita sa më e hershme e mundshme në ASK është pjesë e interesit publik. A do të ketë një komision sot në orën 14:00, 18:00 apo 22:00, pavarësisht nëse do të drejtohet nga Skender Rexhepi apo znj. Slavjanka Petrovska, është një çështje teknike.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov.
 
Petrovska: Pushteti bën qëllimisht gabime nga frika e deklasifikimit
 
Nga ana tjetër, deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, tha se pushteti bën qëllimisht gabime me Komisionin për ASK, nga frika e deklasifikimit.
 
“Këtë mëngjes, përmes një letre nga kryetari i Kuvendit, si të gjithë deputetët, u informova se seanca po shtyhej. Nga ajo që arrita të kuptoj jozyrtarisht, bëhet fjalë për procedurë të vonuar ose zbatim jo të saktë të Rregullores së Punës dhe për këto arsye seanca është shtyrë. Si deputete dhe si anëtare e Komisionit, nuk i shmangem përgjegjësisë për të kryesuar kur, sipas Rregullores së Punës, do të më ngarkohet detyra nga kryetari i Kuvendit.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
 
Zyra e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar se përse nuk u mbajt sot seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Inteligjencës dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
 
ARMEND MURSELI