Vrasja në Gjorçe, Georgiev: Dëshmitarët janë në presion

20.05.2015 16:10

Ka vazhduar procesi gjyqësor për vrasjen e maturantit, Angel Petkovski, në lagjen Gjorçe Petrov...

Në seancën e sotme gjyqësore ka dëshmuar një i punësuar në MPB, i cili sikurse edhe dëshmitarët paraprak ka ndryshuar deklarimet nga ajo që kanë thënë gjatë hetuesisë.

Avokati mbrojtës, Angel Gjeorgjiev, dyshon se akuza po ndikon tek dëshmitarët, me qëllim që të fshihet e vërteta se i akuzuari, Naser Eshtrefi, vrasjen e ka kryer në mbrojtje pas sulmit fizik nga i ndjeri dhe babai i tij.

“Jo vetëm ky, por edhe pjesëtari tjetër i policisë që dëshmoi bashkarisht kanë qenë në stacionin policor “Gjorçe Petrov”, prej ku bënë transferimin e të akuzuarit në Stacionin Policor “Kisella Vodë”. Ata fillimisht patën thënë se kanë vërejtur lëndime trupore dhe se i akuzuari është i rrahur. Atë e ka thënë edhe i akuzuari, por është vërejtur edhe në mënyrë vizuele nga lëndimet e tij fizike dhe rrobat e grisura, ka pasur të vjella dhe këto simptome policët i kanë parë, por kësaj here në gjykim thanë se nuk mbajnë mend, që është në kundërshtim me procesverbalin gjatë hetuesisë”- deklaroi avokati mbrojtës, Angel Georgjiev.

Ajo se i akuzuari ka pasur lëndime të mëdha trupore e vërtetojnë edhe fotografitë që janë pjesë e dokumentacionit për këtë rast, thotë avokati.

Në seancën e radhës do të sillen këshilluesit teknik të mbrojtjes për ekspertizë dhe mendimi nga ana e psikologut të angazhuar. Ndërkaq, mbrojtja shpreh shqetësimin për afatin shumë të shkurtër prej pesë ditëve për një ekspertizë të tillë. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 1 qershor. (Florije Kamberi, TVM2)