Analistët për bisedimet në Strasburg: Jemi kthyer në prioritet ndërkombëtar

20.05.2015 16:43

Analistët vlerësojnë se mbajtja e bisedimeve paralele në Shkup dhe Strasburg është një dëshmi e qartë se ndërkombëtarët dhe BE po marrin rolin e fuqishëm për ta zgjidhur situatën e rëndë politike dhe krizën në të cilën ka hyrë Maqedonia...

Analisti dhe profesori universitar, Mersim Maksuti, vlerëson se edhe pse nga bisedimet në Strasburg nuk ka ndonjë rezultat konkret, vlen për t’u theksuar serioziteti i qasjes së ndërkombëtarëve që tregon hapur se tanimë Maqedonia është bërë top temë dhe agjendë numër një për ndërkombëtarët.

“Bisedimet që kanë filluar në Strasburg duhet të ndihmojnë në krijimin e kushteve për formimin e qeverisë teknike, e cila do të ndihmonte daljen e vendit nga kriza. Situata nuk lejon që bisedimet të zhvillohen me intensitet të ngadalshëm. Maqedonisë i duhet një zgjidhje shumë e shpejtë. Në Maqedoni është rrezikuar funksionimi i demokracisë, funksionimi i shtetit juridik dhe drejtpërsëdrejti janë cenuar vlerat e demokracisë. Nuk është në pyetje vetëm demokracia, mbi të gjitha në pikëpyetje është paqja në vend, e në veçanti paqja në rajon. Duke u nisur nga serioziteti i çështjes, kërkohet një ndërhyrje e fuqishme e ShBA-ve dhe BE-së”- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Analisti, Ibrahim Mehmeti, vlerëson se hapi i ardhshëm i BE-së do të jetë emërimi i një personaliteti autoritativ, i cili do të ulet mes Gruevskit dhe Zaevit për të lehtësuar procesin e vendimmarrjes.

“Unë disa herë kam thënë se zgjidhjet duhet të gjinden brenda shtetit, por është e qartë se kjo nuk ndodhë dhe në një situatë të këtillë kur kemi ndërhyrje ose ndihmë nga BE, mendoj se hapi i ardhshëm mund të jetë emërimi i një personaliteti me autoritet nga BE, i cili do të jetë drejtpërdrejt i kyçur që të përcjellë procesin ose do ta lehtësojë procesin e vendimmarrjes, sepse gjithë kjo periudhë tregoi se edhe ato vendime që merren, pas një kohe të shkurtër shkelen nga vetë ata që kanë marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe në procesin e pajtimit. Duket se është e domosdoshme një ndërhyrje më direkte e faktorit ndërkombëtar”- tha analisti politik Ibrahim Mehmeti.

Analistët, Mersim Maksuti dhe Ibrahim Mehmeti, vlerësojnë se ndërkombëtarët së shpejti do të arrijnë të përafrojnë pozicionet mes liderit të VMRO-së dhe LSDM-së. (Sanije Kasami, TVM2)