Raste të reja korrupsioni në horizont, Toshkovski: Prokuroria është selektive

06.09.2025 16:07

Në vend pritet të hapen raste të reja...

Në vend pritet të hapen raste të reja që lidhen me krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Paralajmërimi vjen nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili në një intervistë për MIA tha se hetimet e reja janë të pashmangshme.

Megjithatë, ai shtoi se drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë, pasi sipas tij, Prokuroria Publike dhe gjykatat nuk i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë ata ndaj të cilëve ngrihen kallëzime penale, ndërsa një pjesë e rasteve ngecin pa asnjë hap konkret nga ana e prokurorisë.

“Për fat të keq, pavarësisht faktit që kemi ngritur një numër të madh kallëzimesh penale, si kundër ish-ministrave, drejtorëve të institucioneve, është ngritur edhe një kallëzim penal kundër një ish-kryeministri, shohim se Prokuroria Publike dhe gjykatat nuk veprojnë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve kundër të cilëve është ngritur kallëzim penal. Koha mbetet për të treguar nëse në këtë periudhë të ardhshme si Prokuroria Publike ashtu edhe gjykatat do të inkurajohen të veprojnë në kuadër të autorizimeve të dhëna me ligj, në mënyrë që të mund të shohin drejtësi procedurale, të cilën është e nevojshme ta ofrojmë si institucion”, - tha  ministri Toshkovski.

Sipas tij, për një pjesë të lëndëve, si ajo me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 të rinj, Prokuroria ka treguar guxim dhe vendosmëri për t’iu përgjigjur me kohë dhe menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.

Megjithatë, ai thekson se për një pjesë të rasteve për të cilat MPB ka dorëzuar kallëzime penale me një numër të madh provash, nuk ka asnjë përparim. (Ersan Pajaziti, TVM2)