Përgjimet, VMRO: LSDM pranoi se e përgjuan Mickoskin

06.09.2025 16:38

Skandali i përgjimeve mbetet krye-temë në opinion...

Skandali i përgjimeve mbetet krye-temë në opinion. VMRO-DPMNE vlerëson se LSDM ka pranuar se ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, ndërsa theksojnë se nuk kanë mundur të gjejnë asgjë të dyshimtë te ai.

“LSDM fillimisht pretendoi se nuk kishte përgjuar dhe as ndjekur, vetëm për ta kthyer historinë 180 gradë dhe për të imponuar një narrativë rreth përmbajtjes së materialeve përmes tezave budallaqe. LSDM pranoi dy gjëra. E para, se e kanë ndjekur dhe përgjuar  Mickoskin. E dyta, se megjithëse e kishin ndjekur dhe përgjuar atë për 5 vjet, nuk kishin gjetur asgjë të diskutueshme ose të paligjshme, dhe nëse do të kishte pasur, do të kishin hapur një procedurë shumë kohë më parë” – tha Brano Petrushevski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Mickoski ka frikë nga deklasifikimi

LSDM akuzon pushtetin se po refuzon të deklasifikojë dokumentacionin që do të duhej ta konfirmonte rastin me ndjekjen e supozuar të Mickoskit. Kjo sipas LSDM tregon qartë se Mickoski frikësohet nga deklasifikimi i dokuemnteve.

“A është e vërtetë që Mickoski, megjithëse nuk ishte shënjestër e mbikëqyrjes, hyri në komunikim me individë që synonin destabilizimin e shtetit dhe u financuan nga para të huaja? A përfundoi një pjesë e këtyre financave personalisht tek Hristijan Mickoski apo në kasafortat e Shtëpisë së Bardhë?” – u shpreh Metodija Ilievski nga LSDM.

Osmani: Të hapen të gjitha dokumentet

BDI, ndërkohë vlerëson se qëllimisht nuk po i jepet certifikatë kryetarit të Komisionit Skender Rexhepi, që të mos ketë mbledhje. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani tha se subjekti i tij është i interesuar për deklasifikim të plotë të dokumenteve.

“Sa më shpejtë të zgjidhet kjo çështje, të mbahet mbledhja, të deklasifikohen të gjitha dokumentet. Ju e shihni se në çdo dhjetë vite, ky shtet hyn në cikëltë përgjimeve. Duhet të ndërpritet kjo, pasi qytetarët nuk janë më të sigurtë. Prandaj ne jemi që të hapet plotësisht ajo çështje” – deklaroi Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.

Kasami: Edhe ne u ndjemë të përgjuar

Nga VLEN theksojnë se kanë pasur ndjenjën sikur përgjohen. Njëri nga krerët e këtij koalicioni Billall Kasami, tha se shpesh kanë dalur në opinion biseda që janë bërë gjatë mbledhjeve të këtij koalicioni.

“Në momente të caktuara kemi pasur ndjesinë se po përgjohemi, sepse në momente të caktura kanë dalur informata që nuk kanë qenë për opinion.  Unë ju bëj ftesë të gjtiha institucuioneve të shtetit që të ndërmarrin masat adekuate që qytetarët, qoftë qytetarët e thjeshtë apo në pozita të ndryshme në shtet të kenë sigurinë e tyre” – deklaroi Kryetari i Lëvizjes, “Besa”, Bilall Kasami.

Përndryshe, Komisioni për mbikqyrje të Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe Agjencisë së Inteligjencës ka caktuar seancë për më 10 shtator sa i përket dyshimeve për përgjime të paligjshme. Përndryshe, më 29 gusht, u njoftua se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, e udhëhequr nga Drejtori Bojan Hristovski, kishte paraqitur tre raporte në Zyrën e Prokurorit Publik në lidhje me një nga ish-drejtorët e saj, si dhe një grup punonjësish, për monitorimin e një udhëheqësi të opozitës dhe disa mediave nga viti 2019 deri në vitin 2024. (Ersan Pajaziti, TVM2)