Eurointegrimi, Filipçe: Vendi po largohet nga rruga e BE-së
Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe...

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për ngecjen sistemike të integrimit evropian dhe rrëzimin e plotë të agjendës së reformave.
Ai tha se vendi po ngec, Maqedonia është e bllokuar ndërsa i gjithë rajoni - nga Shqipëria në Mal të Zi - po lëviz me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian.
“Gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë një vendi është që të mos i ndodhë asgjë. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot. Ne jemi të bllokuar në një vend. Evropa po ecën përpara, dhe ne po qëndrojmë në pozicionin e rehatshëm të mosveprimit dhe justifikimeve" – tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe: Pr.rezoluta është në fazën finale
Filipçe potencoi se LSDM tashmë po punon për një projekt-rezolutë që do të përfshijë një mekanizëm specifik për mbrojtjen e pozicioneve shtetërore në rast të kërkesave të paparimta gjatë negociatave
"Qytetarët kanë të drejtë të pyesin - çfarë ndodh nëse përsëritet një bllokadë e re? Kjo është arsyeja pse po punojmë për një propozim konkret, me një afat kohor të përfshirë. Zgjidhja nuk do të imponohet dhe as nuk do të mbyllet - ajo do të publikohet si një version pune për debat publik dhe politik, ku të gjithë palët e interesuara do të jenë në gjendje të japin kontributin e tyre. Kjo nuk është një lojë parazgjedhore. Kjo është një çështje ekzistenciale. Mbi 70% e qytetarëve janë në favor të vazhdimit të rrugës drejt BE-së. Nëse 70% e duan Evropën, nuk ka justifikim për pasivitet. Kjo nuk është një çështje e politikës ditore. Kjo është një çështje nëse do të jemi pjesë e një Evrope moderne dhe demokratike apo do të mbetemi një shtet i bllokuar në pritje" – u shpreh Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Në këtë kontekst, Filipce i bëri thirrje publikut dhe të gjithë palëve të interesuara politike për vendime të guximshme. Ai theksoi veçanërisht zhgënjimin e tij me sjelljen e Presidentes Siljanovska, e cila sipas tij po ndiqte vijën e partisë VMRO-DPMNE, në vend që të qëndronte në anën e interesit kombëtar. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
