Kriza politike, Besimi: Interesi i qytetarëve mbi gjithçka tjetër
Procesit të bisedimeve për dalje nga kriza politike të filluar në Strasburg duhet t’i japim mundësi, ka deklaruar ambasadorja franceze në Shkup, Loren Oer, duke mos komentuar më shumë rreth procesit të bisedimeve dhe epilogut eventual...

Oer, thotë se ambasadorët e akredituar në Maqedoni mbetën në qëndrimin e theksuar në deklaratën e përbashkët të hënën e kaluar.
“Të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos kolegët e mi evropian, nuk dëshirojmë të japim komente, sepse jemi të bashkuar lidhur me bisedimet që po zhvillohen në Strasburg. Çdo koment nga ana jonë do të thoshte sjellje e papërgjegjshme, por qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të jenë të informuar për bisedimet”- deklaroi ambasadorja e Francës në Shkup, Loren Oer.
Sa i përket përleshjes së armatosur të 9 majit në Kumanovë, Oer ka thënë se ajo ishte një ngjarje shokuese, për të cilën nuk posedon shumë informacione.
Ndërsa zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, thekson nevojën për një zgjidhje të shpejtë të krizës politike bazuar edhe në mesazhet e BE-së. Por, në dialogun politik duhet të jetë dominant interesi i qytetarëve, thekson Besimi.
“Mesazhi që vjen nga Bashkimi Evropian është që dialogu politik i sapofilluar të vijë në zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur dhe tema e cila duhet të mbisundojë në këtë takim është interesi i qytetarëve, interesi i një të ardhme euroatlantike, gjegjësisht anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian, atje ku vlejnë parimet, ku në rend të parë janë parimet e demokracisë dhe lirisë së tregut, ku në rend të parë është interesi i qytetarit. Pra, interesi i qytetarit mbi interesin partiak, që të sigurojmë të ardhme evropiane”- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Këto prononcime Oer dhe Besimi i bënë në kuadër të aktivitetit të tretë “BE-ja në Maqedoni”, që vjen pas takimeve të ngjashme me ambasadorët e Italisë dhe Austrisë. Mesazhi kryesor sot ishte se Maqedonia nuk ka alternative tjetër përveç BE-së. (Gyltene Sinani, TVM2)
