Përgjimet, Dimovski mohon përgjimet ndaj Mickoskit
Ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski...

Ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, mohon se institucioni në kohën e tij ka ndjekur dhe përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, si lider i atëhershëm i opozitës.
Dimovski në një intervistë prë “360 shkallë” theksoi se nuk ka pasur qasje në dokumente dhe se ndoshta emri i Mickoski paraqitet në mënyrë indirekte në këto dokumente, përderisa është nbdjekur një përson i tretë i cili ka qenë në interes të shërbimeve.
“Unë pohoj se nuk ka pasur asnjë dokumentacion që lidhet me përgjimin dhe ndjekjen e ish-liderit të opozitës, dhe nëse një gjë e tillë ekzistonte, nuk do të kishte nevojë për asgjë nga kjo që po ndodh, për këtë cirk në Parlament, ndoshta as për këtë emision që po e kemi, nëse do të kishin vendosur në mënyrë të thjeshtë të deklasifikonin dokumentacionin dhe ta publikojnë” – tha ish Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.
VMRO-DPMNE: Dimovski përgjegjës kryesor i përgjimeve
VMRO-DPMNE-ja e cilëson ish-drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, si zbatuesin kryesor të përgjimit të pretenduar, ku shënjestër ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, atëherë si lider i opozitës, duke theksuar se janë të kota përpjekjet e Dimovskit për t’u shfajsuar.
“Përgjegjës kryesor ka qenë Viktor Dimovski dhe i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të LSDM-së, në panik mohon dhe ikën nga pasojat e veprimeve të tij. Viktor Dimovski e di shumë mirë se çfarë ka bërë dhe çfarë pasojash penale ka ajo. Viktor Dimovski duhet të pranojë veprimet e tij dhe të tregojë se kush nga maja e politikës e urdhëroi atë” – u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Pushteti të deklasifikojë dokumentet
LSDM opozitare, nga ana tjetër thotë se rastin me Agjencinë për Siguri Kombëtare, pushteti qartazi e ka përgatitur me muaj që t’i shërbejë si armë kundër LSDM-së para zgjedhjeve.
Por, siç tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, “bomba u ka shpërthyer në dorë”.
“Bëhuni një herë në ekzistencën tuaj 30-vjeçare të guximshëm dhe të ndershëm. Le të përgjigjen të gjithë ata që kanë keqpërdorur. Nga çfarë keni frikë? A keni frikë se përmbajtja e këtyre dokumenteve do ta zbulojë të vërtetën, lidhjet e kryeministrit me shërbimet e huaja të shteteve armiqësore?” – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja në pushtet dhe LSDM-ja opozitare ditët e fundit janë në një fushatë të ashpër akuzash të ndërsjella, pasi kryeministri Mickoski dhe drejtori aktual i ASk-së, Bojan Hristovski, të hënën konfirmuan se është dorëzuar dokumentacion në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për keqpërdorime të pretenduara në Agjenci gjatë periudhës 2019–2024. (Ersan Pajaziti, TVM2)
