Uikendi i zgjatur, shtensionohet trafiku në qytete, pritje deri në një orë në pikat kufitare
Ky uikend është i zgjatur për shkak të festës së pavarësisë....

Ky uikend është i zgjatur për shkak të festës së pavarësisë së vendit që është ditën e nesërme. Rrugët janë më të boshatisura dhe qytetarët kanë preferuar destinacionet turistike të vendeve të rajonit.
Fundjava e zgjatur solli sot mbingarkesë në pikat kufitare Bogorodicë, Tabanocë dhe Mexhitli, ku vërehet një trafik i rënduar për shkak të udhëtimit gjatë fundjavës dhe pushimeve verore, informon Lidhja auto-moto e Maqedonisë.
Në pikën kufitare Bogorodicë, koha e pritjes për të dalë nga vendi është rreth gjysmë ore, ndërsa në Tabanocë, vonesat për hyrje dhe dalje arrijnë nga 40 minuta deri në një orë.
Një situatë e ngjashme është edhe në Mexhitli, ku shoferët raportojnë radhë të gjata në pritje, ndërsa nuk ka vonesa të konsiderueshme në pikat e tjera kufitare.
Nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njoftuan se trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, por me intensitet të shtuar jashtë zonave urbane.
Shoferëve u bëhet thirrje të vozisin më ngadalë dhe me kujdes si dhe të respektojnë shenjat e trafikut, veçanërisht në pjesët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dheut.
Rrugët më të rrezikshme janë Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Delçevë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
