Debati mbi Euro-integrimet, Osmani: Qeveria pengon integrimin në BE
Të gjitha subjektet politike në vend...

Të gjitha subjektet politike në vend duhet të kenë konsensus për çështjen e integrimit të vendit në BE, vlerëson nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani. Megjithatë, Osmani vlerëson se pushteti me qëllim nuk dëshiron integrimin në BE, pasi sipas tij, është i lidhur ngusht me botën serbe.
“Fakti se kjo qeveri qëllimisht bën gjithçka që të bllokohet rruga evropiane, që të shërbejë për botën serbe dhe oligarkisë. Ajo që është më tragjike është se VLEN e legjitimon atë proces, dhe u bë pjesë e atij procesi. Gjithmonë partitë shqiptare kanë qenë motori për tu afruar vendi drejt rrugës evropiane. Prandaj këto zgjedhje janë shndërruar në referendum” – tha Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
Debati mbi Euro-integrimet, VLEN: Ne jemi me Evropën, Osmani me Lavrovin
Nga VLEN reagojnë duke thënë se është më se e vërtetë se: ose je me Uashingtonin dhe me Evropën, ose me botën serbe, por vlerësojnë se me forcat perendimore është VLEN, ndërsa me ato lindore, Bujar Osmani.
“Kemi realizuar mbi pesë vizita të liderëve të VLEN-it në Uashington vetëm brenda një viti dhe orientimi ynë është i qartë e i padiskutueshëm. Bujar Osmani, pyetja është për ty: kujt ia ke hapur derën? Përveç darkave me Lavrovin dhe lidhjeve nëntokësore sërbo-malazeze, kush nga faktori ndërkombëtar ta ka hapur derën gjatë gjithë këtij viti? Askush” – thonë nga VLEN.
Debati mbi Euro-integrimet, VMRO: Osmani të përqendrohet te temat lokale
Nga VMRO-DPMNE, ndërkohë, apelojnë që Bujar Osmani të përqendrohet në temat lokale dhe t’i lërë temat e politikës së lartë.
“Si ish-ministër i Punëve të Jashtme, Osmani nuk bëri absolutisht asgjë për procesin eurointegrues, përveç se bënte selfie në avion me Zaevin duke e gënjyer opinionin maqedonas se kishin hapur negociatat”, theksojnë nga VMRO-DPMNE
Nga ana tjetër, LSDM janë deklaruar se kjo parti tashmë po punon për një projekt-rezolutë që do të përfshijë një mekanizëm specifik për mbrojtjen e pozicioneve shtetërore në rast të kërkesave joparimore gjatë negociatave.
Përndryshe, kushti i vetëm për fillimin e bisedimeve me BE-në mbeten ndryshimet kushtetuese, konkretisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e vendit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
