Rusia godet ndërtesën e Qeverisë ukrainase

07.09.2025 18:21

Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë...

Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë, prej nisjes së luftës, i ka vënë zjarrin njërës prej ndërtesave kryesore të Qeverisë ukrainase në Kiev, dhe i ka lënë të vdekur tre persona, përfshirë një foshnje, trupi i së cilës është nxjerrë nga rrënojat.

“Për herë të parë është dëmtuar ndërtesa qeveritare nga sulmet e armikut, kulmi dhe katet e larta”, ka thënë kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, përmes një njoftimi në Telegram.

“Ekipet e shpëtimit janë duke shuar zjarrin”.

Dëshmitarët kanë treguar se katet e larta të ndërtesës së Qeverisë janë djegur dhe është parë tym i madh pak pas lindjes së diellit.

Forca ajrore e Ukrainës ka bërë të ditur se Rusia i ka nisur 805 dronë përgjatë natës në drejtim të Ukrainës, si dhe 13 raketa.

Mbrojtja ukrainase i ka rrëzuar 751 dronë dhe katër raketa.