Paralajmërimet për njohjen e Palestinës, Saar: Gabim, nxit “veprime të njëanshme”

07.09.2025 19:00

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar...

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, e ka quajtur “gabim” vendimin e disa shteteve për ta njohur shtetësinë palestineze, dhe ka paralajmëruar se diçka e tillë mund të nxisë përgjigje unilaterale të paspecifikuar, pas raportimeve se Izraeli planifikon t’i aneksojë disa pjesë të Bregut Perëndimor.

“Shtetet sikurse Franca dhe Britania, të cilat kanë çuar përpara të ashtuquajturën njohje, kanë bërë gabim të madh”, ka thënë Saar në një konferencë për media me homologun e tij danez, Lars Lokke Rasmussen.

Sipas tij, çuarja përpara e këtyre planeve e bën arritjen deri te paqja “më të vështirë”. “Do të destabilizohet rajoni. Izraeli do të detyrohet të marrë vendime të njëanshme”.

Deklaratat e tij vijnë pasi Izraeli e ka miratuar një plan për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, përfshirë një projekt madhor në lindje të Jerusalemit. Disa shtete, përfshirë Francën dhe Britaninë, janë zotuar për ta njohur shtetin palestinez në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila mbahet këtë muaj.