8 Shtatori – Dita e Pavarësisë, kreu shtetëror me mesazhe për unitet
Kreu shtetëror uron qytetarët ditën e pavarësisë me mesazhe për unitet dhe përkushtim për të përmbushur aspiratat e vendit për paqe dhe integrim në BE.

Kreu shtetëror uron qytetarët ditën e pavarësisë me mesazhe për unitet dhe përkushtim për të përmbushur aspiratat e vendit për paqe dhe integrim në BE.
“Dita e Pavarësisë është një moment i veçantë, një mundësi për të reflektuar mbi arritjet e mëdha të këtij shteti. Në këtë përvjetor, mesazhi im për qytetarët është që të bashkohemi rreth vlerave të unitetit dhe përkushtimit për të përmbushur aspiratat e vendit tonë. Është koha që secili prej nesh të japë kontributin e tij në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend.”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, duke shtuar se, si aleat i besueshëm i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ky është një moment që kërkon të vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Ndërkaq, presidentja e Republikës Gordana Siljanovska Davkova rikujton se më 8 shtator 1991, ligjërisht dhe në mënyrë legjitime, mbi bazën e të drejtës së patjetërsueshme dhe të pashtershme të çdo populli për vetëvendosje, në referendumin për një Maqedoni të pavarur dhe të mëvetësishme dolën 75.74% e elektoratit, ndërsa “pro” votuan 72.16% e të regjistruarve!
“Kështu, ne, qytetarët maqedonas, e kurorëzuam luftën shekullore të ilindenasve dhe partizanëve me një shtet unitar, të pavarur dhe sovran!”, - tha Siljanovska, duke shtuar se: “Sot, 34 vjet më pas, në një botë të mbështetur në forcë e jo në të drejtë, ende po e zhvillojmë betejën për një shtet sovran, të barabartë, modern, standard, evropian, juridik, anëtar të Bashkimit Evropian. Gjatë këtyre tre dekadave u përballëm me ndarje dhe kriza të shumta të brendshme, me presione dhe sfida të jashtme, me lëshime dhe kompromise që nuk janë në përputhje me vendimin referendumit të vitit 1991, e madje as me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare.”, thuhet në urimin e presidentes Siljanovska.
Sipas saj, rruga drejt drejtësisë kalon përmes një shteti të evropianizuar, të bazuar në kriteret e Kopenhagës, përmes një pushteti demokratik të kufizuar me sistem të balancuar kontrollesh dhe kundërpeshash, përmes një ekonomie konkurruese dhe prosperuese, përmes një kulture politike pjesëmarrëse, përmes një shoqërie civile të fuqishme dhe mediave të lira.
Të rinjtë nuk mbahen dhe nuk stimulohen me partizim dhe politizim, por me arsim dhe shkencë që stimulojnë, respektojnë dhe shpërblejnë dijen, punën dhe meritat, ka shkruar Siljanovska në urimin për ditën e pavarësisë. (Florije Kamberi, TVM2)
